Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi sot një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve në zonën rebele të Gutas Lindore, e rrethuar nga regjimi sirian, ndërkohë që është thërritur Këshilli i Sigurimit që të votojë mbi një armëpushim një mujor në Siri.
“Guta Lindore është bërë ferri mbi Tokë. I bëj thirrje të gjitha palëve të implikuara që të ndërpresin menjëherë të gjitha veprimet luftarake në Gutan Lindore për të mundësuar një ndihmë humanitare për ata që kanë nevojë”, deklaroi Antonio Guterres në Këshillin e Sigurimit.
Po bëhen më shumë se 15 ditë që agjentët e OKB-së në terren i kërkojnë Këshillit të Sigurisë një armëpushim të menjëhershëm, për të mundësuar dhënien e ndihmës humanitare dhe të evakuohen të plagosurit dhe të sëmurët.
Ushtria siriane thotë se po përpiqet të çlirojë zonën nga ajo që thotë terroristët, por gjithashtu është akuzuar për të shtëna mbi civilët.
Forcat pro-qeveritare, të mbështetura nga Rusia, intensifikuan përpjekjet e tyre për të rimarrë bastionin e fundit të madh rebel natën e së dielës.
Një mjek që punon në rajon thotë se situata është "katastrofike", ai beson se komuniteti ndërkombëtar ka braktisur njerëzit që jetojnë atje.
"Ata synonin gjithçka: dyqane, tregje, spitale, shkolla, xhami, gjithçka", tha Dr Bassam për BBC të mërkurën.
"Ndoshta çdo minutë kemi 10 apo 20 sulme ajrore ... Unë do të mjekoj dikë dhe pas një ose dy ditësh ata vijnë përsëri, të plagosur. Ku është bashkësia ndërkombëtare, ku është Këshilli i Sigurimit i OKB-së ... ata na braktisën dhe na lënë të vritemi", tha ai.



