Fshati Velagosht ndodhet në 400 metra lartësi mbi Kuçovë, me një natyrë të mrekullueshme dhe ullinj pa fund, por pa rrugë.
Emisioni “Fol” në MCN TV, u ndal në këtë fshat ku mund të shkohet vetëm me fuoristradë dhe në disa vende rrezikohet edhe me të, për shkak se ka shembje të rrugës.
Banorët kanë 32 vite që kërkojnë rrugë për të ardhur në fshatin e tyre i cili ka mijëra rrënjë ulliri, mes tyre të moçëm, mbi 1000 vjeçarë.
Kemi 32 vite që kërkojmë rrugë, rruga është 2.2 kilometra. Vetëm me taksat tona do ishte mbaruar që kur dhe do ishte bërë me tre korsi.
Ky fshat sot ka 50-60 familje, por dikur kanë qenë 300 familje. Sot toka punohet 110%, jo 100%. Jetojmë me këtë punë që kemi këtu.
Këtu kemi derdhur gjithë djersën. Kanë një jetë baballarët kërkojnë rrugë, u plakëm dhe ne kërkojmë rrugë, druajmë se dhe fëmijët tanë do kërkojnë rrugë.
Duam rrugë dhe ujë si në Mesjetë, por kështu jemi katandisur. Nuk kemi parë asnjëherë plan për rrugë.
Rruga ishte përllogaritur për të ardhur lart në fshat po se çfarë u bë me ato fonde nuk e dimë.
Këtu ka ullinj mijëra vjeçar, ulliri i rrallë, ulliri i kuq i Velagoshtit, vaji i tij kërkohet në Itali, ndërsa ne vuajmë akoma.
Ne një fshat që mund të ishim me shumë perspektivë, jemi katandisur në këtë pikë.
Një tjetër banore tha se transportin e bëjnë me gomarë dhe gjithë çfarë kërkojnë është një rrugë.
Një rrugë duam, se për bukë punojmë vetë. As infermiere nuk ka fshati. Për urgjencë drejtohemi direkt në Kuçovë, ose ikim me hajvan.
Ne vuajmë vetëm për një rrugë dhe një infermiere në fshat, se ky është fshat shumë i bukur.
Një i moshuar nuk hezitoi që ta cilësonte Velagoshtin si fshatin më të humbur në rrethin e Kuçovës, pasi nuk ka as rrugë dhe as ujë.
Njërin e hëngri nepërka, sa zbriti poshtë vdiq. Kemi kaq vite që kërkojmë rrugë. Jam 70 vjeç dhe rruga e Velagoshtit nuk është shtruar asnjëherë.
Dhe të vdekurit po i ngremë në krahë, se nuk ka rrugë. Të kërkosh sot në 2024 ujë për të pirë. E kanë bërë depon atje, por nuk ka ujë.
Për vota vijnë me fuoristradë kollaj, por rrugën nuk e shikojnë. Jemi kaq vite, 300 familje kanë qenë këtu.
Nuk të vjen as taksia, ka frikë, kërkoj që të më hapet rruga që të shkoj në shtëpinë time.
Një banor tjetër tha se Velagoshti është lënë pas dore.
Nëna na ka bërë dhe ne, nuk na ka bërë kafsha. Vjen të merr votën dhe të vë rrotën. Kur vijnë këta bëhen si dele e perëndisë.
Po 33 vjet çfarë ke bërë, u bëfsh lëmsh. Kryetari i bashkisë ka ardhur, i them të kthehen na Velagoshti ta shohin njëherë.
Kryeministrit i them zoti Rama na bëj rrugën se jam njeri, do jetoj në këtë vend. Është rrugë turistike.
Nuk duam të dimë fare për partitë politike, në këtë rrugë do shkojmë të tërë. Rruga nuk ka ngjyra partie.
Zgjidhje do ishte asfaltimi i rrugës, se me çakull njëlloj do bëhet. I them Ramës që Shqipëria s’është vetëm në bregdet.
Nuk është vetëm Tiranë, Vlorë, është dhe këtu, këtu jetojnë njerëz. Puset thahen në verë, këtu nuk ka ujë.
Pardje që u bë protesta në Kuçovë, erdhi gjithë ai ujë. Ujë ka, por nuk ka drejtues, ai që punon atje i merr paratë për hesapin e tij.
As nuk i kontrollon tubat dhe kur vjen puna e sjell faturën. Si të harxhosh dhe të mos harxhosh, e ke me frymë.
Në bashki është e pamundur ta takosh kryetarin e bashkisë, na mashtrojnë, si ka mundësi ky kryetar bashkie, të vij në fshat dhe të lajmërojë dy çerrat e tij.
Peticionin me 250 firma e kemi çuar në bashki dhe te prefekti. Rrugë duam, s’duam asgjë tjetër.



