
Neritan Sejamini, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka bërë një analizë të krimit në Shqipëri, duke renditur si problematike, kapjen e shtetit nga krimi, korrupsionin e përhapur në të gjithë strukturën shtetërore dhe pastrimin e parave, fenomen i përhapur tej mase në dekadën e fundit.
Ai tha se korrupsioni mbetet një nga krimet më problematike në Shqipëri dhe se ka mbërthyer çdo qelizë të shtetit shqiptar.
Sipas tij, nëse ekonomia mbahet nga krimi dhe paratë e pushtetit lokal vijnë nga krimi, nga ndërtimi, nëse krimi ka kapur shtetin, biznesin, drejtësinë, kush do ta luftojë krimin në Shqipëri?

Qeveria shqiptare nuk ka një strategji kundër krimit. Policia dhe prokuroria po kështu. Edhe ato e luftojnë në mënyrë të rastësishme, po ndodhi një krim e ndjekin. Krimi duhet parandaluar, përgjuar, investiguar, ne nuk parandalojmë asgjë. Duhet të vritet dikush, të kapet një maune, të vijë një letër nga jashtë shtetit.
Specifika kryesore e krimit në Shqipëri, është pastrimi i parave, është bërë fushë kryesore. Cila pjesë e krimit ndodh? Ka qenë në të shkuarën rrugë kalimi për trafikun e drogën nga lindja në perëndim, apo edhe nga Amerika Latinë përmes Shqipërisë në Evropë, sot ka marrë një specifikë, është bërë vend i pastrimit të parave.
Edhe për këtë nuk kemi shifra, ka disa analiza të tërthorta, flasim më shumë me çfarë shikojmë, por mund të shohësh në mes të Tiranës, sektori i ndërtimeve, nga kompani pa kapitale, nga njerëz pa përvojë, nga njerëz të dyshimtë, para që nuk dihet se nga vijnë, tregon se kemi pastrim të madh të parasë.
Edhe raportet ndërkombëtare tregojnë se në Shqipëri pastrohen para dhe fatkeqësisht paraja e krimit është bërë një nga karburantet kryesore të ekonomisë shqiptare, Po të shohësh të dhënat, bujqësia ka rënë, fasoni po shkatërrohet, eksportet po bien, ndërkohë ndërtimi mbetet i paepur, çmimet rriten.
E dyta, kemi kapjen e shtetit nga krimi. E fundit, korrupsioni, një nga krimet më problematike në Shqipëri. Ajo që kemi mësuar gjatë këtij viti, është që korrupsioni ka mbërthyer çdo qelizë të shtetit shqiptar. Shikon krimin e organizuar, punonjës publikë, shtetërore, që krijojnë organizata kriminale brenda institucioneve shtetërore.
Ke drejtues publikë, që në bashkëpunim me njëri tjetrin manipulojnë, vjedhin, tjetërsojnë, grabisin. Kjo bëhet masive. Korrupsioni ka depërtuar çdo qelizë të shtetit shqiptar. Nuk di nëse ka një institucion të paprekur nga korrupsioni. Bashkitë, deri te Banka e Shqipërisë, drejtorin e rrugëve, drejtorët e mëdhenj të Bashkisë, ke gjithë andej.
Kjo është premisë shumë negative në të ardhmen. Kush do ti luftojë këta? Nëse ekonomia mbahet nga krimi dhe paratë e pushtetit lokal vijnë nga krimi, nga ndërtimi, nëse krimi ka kapur shtetin, biznesin, drejtësinë, kush do ta luftojë krimin në Shqipëri?



