Një person nga Franca i cili arriti të tërhiqte para nëpërmjet një linku që kishte marrë duke mashtruar qindra shqiptarë, është vënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit të koduar “Misleading messages”.
I riu iu dërgonte qytetarëve të ndryshëm në Shqipëri, link të rremë, për të plotësuar të dhënat bankare, duke u kamufluar si filiali i një banke të nivelit të dytë, me qëllim që t’iu merrte para nga llogaria, falë reagimit në kohë dhe me profesionalizëm, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
I dyshuari u kap në flagrancë në një bankomat në Tiranë, duke tërhequr para nga një llogari që e kishte marrë nëpërmjet linkut.
23-vjeçari, pasi kishte hapur linkun në Francë dhe kishte mashtruar qindra qytetarë, kishte ardhur në Tiranë, me qëllim tërheqjen e parave nga llogaritë bankare që kishte përfituar nëpërmjet mashtrimit.

Në kuadër të këtij operacioni, pas një pune intensive hetimore dhe operative, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 23 vjeç, lindur dhe banues në Francë.
Arrestimi i tij u krye pasi përmes mashtrimit me dërgimin e mesazheve të rreme në celularë, kërkonte plotësimin e formularëve me të dhëna bankare personale, të cilat më pas i përdorte për të tërhequr para nëpërmjet bankomateve (ATM) dhe aplikacioneve bankare të instaluara në celulare. Në këtë skemë mashtrimi kanë rënë viktimë qindra shtetas shqiptarë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularë, ndërkohë që vijojnë hetimet për identifikimin dhe procedimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Ndaj të arrestuarit materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.



