Një 27-vjeçar i cili prezantohej si efektiv policie dhe u zhvaste shuma parash vajzave që ofronin shërbime seksuale kundrejt pagesës, është vënë në pranga e policisë.
Gazetari Besmir Pula tha për MCN Live, se operacioni u krye nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Tiranë, pas dyshimeve se ishte efektiv i policisë.
I dyshuari shtirej si klient i zakonshëm, kryente shërbime seksuale dhe në përfundim u tregonte vajzave stemat e policisë dhe nën kërcënimin që të mos tregonte, u kërkonte nga 2 mijë euro, në mënyrë që punën e tyre të mos e raportonte te policia.
Duke qenë një aktivitet i ndaluar do kishte penalitete dhe për të. 27-vjeçari është identifikuar si Ajet Salla, dyshohet se përveç kësaj skeme mashtrimi kishte dhe faqe të tjera online për shfrytëzim prostitucioni.
Hiqej si polic duke përdorur stemat e policisë, në një kohë që mbajtja e stemave dhe ikonave të policisë është e ndaluar me ligj.
Në faqet online mund të gjenden fare lehtë eskorta të kombësive të ndryshme të cilat janë përhapur kryesisht në zonën e qendrës, Rrugën e Kavajës etj.
27-vjeçari i ka kontaktuar, ka kryer marrëdhënie dhe më pas u ka kërkuar para. Bëhet fjalë për shtetase të huaja.
Sipas tij, vendin e parë për eskorta e mban Tirana dhe më pas vjen Durrësi.
Ai tha se javët e fundit është zbuluar aktiviteti i 27-vjeçarit.
Nga ana tjetër Pula shtoi se aksionet e policisë deri më tani kanë qenë të shtrira në qendrat e masazheve dhe jo me eskorta.
Ndërsa në qendrat e masazheve punojnë kryesisht vajza shqiptare të cilat ofrojnë dhe shërbime seksuale, eskortat tha gazetari janë kryesisht shtetase të huaja.
AMP tha një ditë më parë se nga veprimet hetimore të kryera me metoda speciale të hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka arrestuar në flagrancë të shtetasit A. S., 27 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes, ose dhunës për dhënien e pasurisë ”.
Nga kryerja e veprimeve hetimore procedurale, rezulton se ky shtetas, duke u prezantuar si punonjës policie dhe duke përdorur mjete identifikuese si ato të strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit, kontaktonte nëpërmjet rrjeteve sociale shtetase të ndryshme, ku me anë të shtrëngimit e kanosjes, iu kërkonte dhe merrte atyre vlera monetare që variojnë deri në 2 mijë euro, kundrejt premtimit për të mos i arrestuar.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe dokumentimin me prova ligjore të implikimit të mundshëm të punonjësve të policisë si dhe lidhje shoqërore me personin e arrestuar.



