Drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive Agron Haxhimali foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi raportin e KLSH, ku 8 bashki të vendit paraqiten me probleme më të mëdha në shlyerjen e borxheve.
Haxhimali tha që kjo është një kambanë alarmi që na çon te nevoja për një shkundje në nivel vendor. Ai thekson se pasojat janë jashtëzakonisht të mëdha te shërbimet për qytetarët, si dhe besueshmëria për përfitim të fondeve të BE-së.
“Lajm i keq shumë, nuk më gëzon fare. Nga ajo çfarë prisnim nga bashkitë, 10 vite pas reformës territoriale dhe administrative, çfarë presim nga njësitë e qeverisjes vendore në prag të këtij diskutimi të bujshëm që po i afrohemi më shumë BE-së në 2027-ën apo 2030-ën, kjo na nxjerr zbuluar. Mostra 8 bashki s’është e vogël, sepse 61 janë gjithsej. Ndihem shumë i keqardhur.
S’po e konsideroj borxhin problemin shumë të madh, por kur dëgjoj ato rezultatet e tjera, planifikimi i dobët, fshehje e të dhënave, mos raportimi i të dhënave, dy buxhete, planifikime të ndryshme. Mund të ketë edhe probleme ligjore, kjo më lë shijë shumë të keqe. Rrogat u rritën, buxhetet bashkitë i kanë më të mëdha, pushtet u është dhënë goxha, por të kenë këtë perfomancë dhe të bëjnë gabime të tilla s’më bën të ndihem mirë si lobist dhe advokues i këtyre bashkive.
Ka nevojë të trokasin në veten e tyre, mendjen e tyre, kryetari dhe këshilli bashkiak. Është një këmbanë alarmi që na çon që ka nevojë për një shkundje edhe në nivelin vendor, të nivelit të integritetit, transparencës, profesionalizmit, të menaxhimit të burimeve njerëzore, shpërndarjes së financave, mbledhjes së të ardhurave. Krijon pasoja jashtëzakonisht të mëdha.
Qytetarët s’marrin shërbime, s’ka rrugë, s’ka ujësjellësa, s’ka cilësi shërbimesh në shkolla, s’vaditen tokat. Cila është pasoja më madhore? Kur një donator si BE, apo vet qeveria po të jetë me ato standarde që duhet të jetë, apo agjencitë shtetërore, kur i shohin këto bashki që kanë këto probleme, pengojnë investimet nga fondet e BE dhe fondet e rritjes.
BE thotë kur t’i s’ke ditur të hartosh buxhetin, të punosh me transparencë, të bësh një auditim të brendshëm, thotë s’je dinjitoz dhe s’të mbështet. Pas zyrtarit pasojat bien të mungesa e shërbimeve”.



