Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Xhonatan Pano, i ftuar në “MCN Economy”, ka komentuar problematikat e transportit publik në kryeqytet, duke i cilësuar ato si skandaloze dhe duke kërkuar reforma të thella në këtë sektor.
Sipas Panos, aktualisht nga buxheti i Bashkisë së Tiranës paguhen rreth 14 milionë euro në vit për subvencionimin e transportit publik, ndërsa projekti i propozuar për transport publik falas do të kushtonte 16.5 milionë euro, pra vetëm 2.5 milionë euro më shumë.
Problematikat e transportit publik në Tiranë janë skandaloze. Kemi nevojë për reforma drastike. Nuk është vetëm çështja e trafikut të rënduar, por edhe mungesa e investimeve. Sot shohim se 6.5 milionë euro shkojnë nga Drejtoria e Transportit Publik, ndërsa investimet janë në rënie. Kemi nevojë për përmirësim të sinjalistikës, korsive të dedikuara dhe alternativave që lehtësojnë jetën e qytetarëve.
Ai theksoi se qytetarët e Tiranës shpenzojnë 3-4% të të ardhurave të tyre vetëm për abonenë mujore të transportit publik, duke e konsideruar këtë një barrë të konsiderueshme financiare.
Pano bëri të ditur se ka dërguar një shkresë për të kërkuar një diskutim me Drejtorinë e Transportit Publik, me qëllim analizimin e situatës dhe identifikimin e masave konkrete për përmirësimin e shërbimit.
Sipas tij, ndër shqetësimet kryesore të të rinjve janë mungesa e linjave dhe papastërtia e autobusëve.
Në fund, ai nënvizoi nevojën për dixhitalizimin e shërbimeve të transportit publik, si një hap i domosdoshëm drejt rritjes së transparencës, efikasitetit dhe cilësisë së shërbimit për qytetarët e kryeqytetit.



