Fshati Kuç Buronjë në Vlorë aty ku buron lumi Shushicë nuk ka ujë të pijshëm, edhe pse ka një ujësjellës të ri i cili ka kushtuar 2 miliardë lekë të vjetra.
Emisioni “Fol” në MCN TV u ndal në këtë fshat ku banorët thonë se e dëgjojnë ujin, por ujë nuk ka.

Nuk kemi patur asnjëherë ujë të pijshëm. Me gomarë e bidona mbushim ujë në lumë dhe me zgjidhje alternative.
Para 4 vitesh del një investim madhor 2 miliardë lekë për ujësjellësin Kuç Qendër dhe Kuç Buronja.
Ishte investim i ri në letër, por në fakt nuk u bë fare investim i ri.
E dëgjoj zhurmën e ujit dhe ujë në shtëpi nuk kam, por do vij të mbush ujë o me gomar, o me bidona.
Ky ujësjellës vendburimin e ka në Gurrë, lart në mal dhe që atje e kanë bërë vjedhjen e parë që kanë gënjyer, kanë mbajtur vetëm atë tubo uji që kishte ujësjellësin e vjetër.
Tubat kryesore që kanë shtuar në Kuç Qendër, pjesa dërrmuese e tubove kryesore janë në sipërfaqe duken. Vendet kryesore janë të hapura. U bë projekt korruptiv.
Është bërë një rezervuar uji, fitorja e kësaj lagje është sa na prishën rrugët dhe ujë në ujësjellës në depo nuk ka vajtur asnjë ditë, pa le të bëjë shpërndarje.
Fatkeqësia më e madhe është se Bashkia Himarë këtë ujësjellës e ka marrë në dorëzim që para tre vitesh në kohën e Jorgo Goros me ish-kryepleqtë dhe ish-administratorë.
Si mund të merret një vepër e pabërë në dorëzim, kush janë këta trima që nuk i tremben shtetit.
Denoncoj ta marrë vesh edhe Kryeministri nëse do e dëgjoj, dua të denoncoj dhe penalisht, t’ia përcillni SPAK, Prokurorisë së Vlorës, kush janë këta hajdutë që na kanë marrë ujin ne.
Vetëm nga ana këtej e lumit janë 120 shtëpi. Kush e vodhi? Hera e parë që kjo lagje u vu në projekt nga shteti që të merrte ujë të pijshëm. Kush na e vodhi?
Një tjetër banor shton se kur e ndërtuan depon, nuk e bën që të mblidhte të gjitha burimet e ujit.
Kanë bërë një depo të re luksi krah asaj që është. Linjë të re bëri bashkia e Himarës, më të mirë, e kaluan poshtë rrugës dhe nuk ka ndërhyrje më.
Projekti i ujësjellësit të Kuçit është i dështuar. Se çfarë do bëhet për ta vënë në funksion nuk e di. 2 miliardë nuk ishin vetëm për Kuçin, por edhe për linjën e Pilurit dhe Kullsit.
Ujësjellësi i Buronjave të bëhet nga atje ku buron lumi, jo ta marrësh nga një lumë në tjetër, për të mos dëmtuar dhe rrugët e lagjeve, se është një vend me erozion.
Ujësjellësi i Himarës është projekt korruptiv, kemi mbi një vit e gjysmë që u shfaqën në territorin e Kuçit.
Pas gjithë këtyre protestave dhe ndërhyrjeve nga organizatat e ndryshme, ky projekt është pezulluar. Në pjesën e Kuçit nuk është punuar këto kohë.
Ne si banorë që jemi marrë gjithë këto kohë me kundërshtimin e këtij projekti e kemi quajtur vija e kuqe.
Nuk do i lëmë të ndërhyjnë me mjete për të punuar. Edhe nga financuesit u kërkuar rishikimi i projektit dhe burime alternative dhe të bëjë konsultime me komunitetin.
Kemi kërkuar informacion në bashki, por pa përgjigje. Po u shtrinë ato tubacioie, devijohet lumi.
Një banore e moshuar tha se prishën arat për ujësjellësin, por uji nuk iu shkoi në banesa.
Prishëm arat për ujësjellësin dhe uji nuk na erdhi. Kryeministri ka thënë jemi Toskana, por pa ujë nuk jemi Toskanë. Vijnë turistë në verë.
Kur u bë ujësjellësi xhadetë u bënë pa inxhinier. Rruga ka kaluar poshtë dhe rrëshqitja e dheut po rrëshqet varrezat.
Varri nuk prishej me ligj as në atë kohë dhe nëse do prekje varrin e një personi dënoheshe me 3 vjet burg.
Rama na e solli rrugën, por ujin nuk ia japim. Ujin në Kuç nuk ia japim se ne do jetojmë.
Banorët thonë se në vitin 1990 fshati ka pasur maternitet, farmaci, dentist, por se sot mungojnë të gjitha, për shkak të neglizhencës totale të shtetit.



