
Donald Trump ka lënë të kuptohet se po merr në konsideratë njohjen e Krimesë së pjesë e Rusisë. Një koment i tillë vjen dy javë para takimit historik të tij me presidentin rus, Vladimir Putin.
Duke folur para gazetarëve në bordin e Air Force One të premten, Trump u pyet nëse Uashingtoni do ta pranojë pretendimin e Rusisë për Krimenë. Ai u përgjigj në mënyrë lakonike: “Do ta shohim”.
“Do të flas me të për gjithçka. Do të flasim për Ukrainën, për Sirinë, do të flasim për zgjedhjet dhe duam që askush të mos ngatërrohet me këto të fundit”, ka thënë Trump në lidhje me takimin e pritshëm me Putin.
Takimi Trump-Putin, i pari që mbahet si i veçantë dhe pa qenë pjesë e një samiti shumëpalësh, është parashikuar të zhvillohet më 16 korrik në Helsinki, Finlandë.
Disa do të jenë çështjet që pritet të diskutohen mes dy presidentëve, që nga kontrolli i armëve, ndërhyrja e pretenduar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe rikthimi i Moskës në G8.
Gadishulli i Krimesë iu aneksua Ukrainës nga Federata Ruse në mars të vitit 2014. Aneksimi i shoqërua me një ndërhyrje ushtarake të Rusisë në Krime, e cila erdhi pas protestave që u zhvilluan në atë kohë në Ukrainë.
Më 22-23 shkurt 2014, presidenti rus Vladimir Putin thirri një takim gjithë natës me shefat e shërbimit të sigurisë për të diskutuar për largimin e presidentit ukrainas të rrëzuar, Viktor Janukoviç. Në fund të takimit, Putini theksoi se "duhet të fillojmë të punojmë për rikthimin e Krimesë në Rusi".
Më 23 shkurt, demonstrata pro-ruse u mbajtën në qytetin e Krimesë, Sevastopol. Më 27 shkurt, trupa ruse të maskuara morën kontrollin e Këshillit të Lartë të Krimesë dhe zaptuan zona strategjike, gjë që çoi në instalimin e qeverisë pro-ruse Aksyonov në Krime. Kjo solli më pas referendumin për statusin e Krimesë dhe shpalljen e pavarësisë së saj më 16 mars 2014. Kështu, Rusia e përfshiu zyrtarisht Krimenë në grupin e subjekteve federale të Federatës Ruse.
Vetë Ukraina dhe shumë liderë botërorë e dënuan aneksimin dhe e cilësuan atë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve të nënshkruara nga Rusia, që ruajnë integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë Marrëveshjet e Belavezhës që themelojnë Komonuelthin e Shteteve të Pavarura në vitin 1991, Marrëveshjen e Helsinkit, Memorandumin e Budapestit për Sigurinë të vitit 1994 dhe Traktatin për Miqësinë, Bashkëpunimin dhe Partneritetin midis Federatës Ruse dhe Ukrainës. Kjo bëri që anëtarët e tjerë të G8-s në atë kohë të pezullonin Rusinë nga grupi, gjë që u pasua me sanksione ndaj saj. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara gjithashtu e hodhi poshtë aneksimin e Krimesë. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



