
Kreu i Sindikatës së punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta në një intervistë për MCN Live ka komentuar lidhur me ngjarjen e 22-vjeçares keninane të cilën e konsideroi si mjaft të rëndë, ndërsa bëri të ditur se janë njohur me ngjarjen nga mediat.
Ai tha se më të rëndë ngjarjen e bën fakti se kemi të bëjmë me një shtetase të huaj me ngjyrë dhe kjo sipas tij na vendos përballë një diskriminimi dhe prostitucioni.
Me ngjarjen u njohëm nga mediat sepse ju nxorët në pah këtë ngjarje. Ajo është mjaft e rëndë për shumë arsye që tashmë janë bërë dhe publike. Ngjarja vazhdon të jetë e rëndë, nuk u mbyll vetëm me fillimin e hetimit, ajo vazhdon deri në zbulimin e autorëve të saj dhe policia ka një barrë për ta hetuar, zbuluar dhe dokumentuar dhe pastaj gjykatat vendosin për personat që kanë kryer veprat penale. Më të rëndë ngjarjen e bënë dhe fakti që është një shtetase e huaj dhe me ngjyrë dhe duke mos pasur dhe prova ka shumë fusha që policia e shtetit duhet ti implementojë dhe eksplorojë për të gjetur shkakun, arsyen pse ka ndodhur ngjarja. Koha ecën, provat janë ato që e shpejtojnë ose ngadalësojnë hetimin, por duhet një hetim i saktë sepse jemi para një gjenocidi dhe diskriminimi por dhe para një fakti tjetër sepse kjo është përdorur në grupe kriminale dhe mund të jemi para një prostitucioni.
Më tej ai shtoi se rasti tek ne përfshin të gjitha versionet dhe deri kur të shprehet prokuroria dhe gjykata ne na takon të presim dhe të shohim si do vijojë ngjarja.
Shpresojmë që vajza të dalë nga koma dhe të nisë të shprehet dhe ajo do jetë ndoshta mundësia më e madhe që policia e shtetit dhe prokuroria të arrijnë shpejt në zbulimin e ngjarjes.
I pyetur nëse duhet të hetohen dhe punonjësit e policisë për veprimet e kryera deh a është bërë një hetim për ta, Fishta tha se për aq kohë sa nuk ka ardhur në sindikatën e tyre një ankim nuk beson se ka nisur një hetim mbi ta.
Policia ka taktika të hetimit dhe gjurmimit që variojnë sipas situatave që krijohen dhe këtë vlerësim e bëjnë provat e siguruara në vendin e ngjarjes dhe duke pasur këtë pamje që kemi sot besoj se e kanë bërë. Kemi strukturën e ngritur në ministrinë e brendshme që merret dhe me shkeljet dhe neglizhencat e punonjësit të policisë dhe merret dhe shërbimi i kontrollit të brendshëm që ka për të detyrë që të hetojë nga drejtori deri te punonjësi. Besoj se po të kishte hetim deri tani ne do kishim marrë një ankim si sindikatë. Por derisa nuk ka ardhur asnjë ankesë atëherë s’ka filluar ndonjë hetim deri tani. Në momentin që fillon hetimi ata paraqesin materialet e hetimit në prokurori dhe vendoset dhe masa e pezullimit të punonjësit për shkelje. Ne si sindikatë vetëm monitorojmë situatën ashtu sikurse ju mediat. Kjo është përgjegjësi e prokurorit. Policia ndjek gjitha versionet e ngritura nga prokuroria mbi bazën e provave.



