
Gjykata e Posaçme ka liruar sot nga qelia ish-deputetin e PS Alqi Bllako, i akuzuar për aferën e inceneratorëve.
Gjatë seancës së mbajtur këtë të enjte gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për zëvendësimin e masës së sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie".
Gazetarja e MCN TV Anduena Llabani raporton se Bllakos i është zbutur masa e sigurisë me arsyetimin se ka dy fëmijë të mitur, të cilët kanë nevojë për përkujdesjen e prindërve.
Dy fëmijët e tij binjakë vuajnë nga një sëmundje që e bën të domosdoshme praninë e prindërve.
Vlen për t'u përmendur se gjykata e ka mbajtur vendimin në diskrecion të plotë. Sjellim në vëmendje që Bllako akuzohet për veprat penale "shpërdorim detyre' dhe "korrupsion pasiv i nëpunësve shtetërorë".
Dyshohet se Bllako ka falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori i Fierit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 16 milionë lekësh.
Mbetet për t'u parë nëse edhe ish-ministri Lefter Koka do të përfitojë zbutje të masës së sigurisë, pasi pretendohet se vuan nga një sëmundje.



