Policia Rrugore e Lezhës ka ndëshkuar me 10.000 lekë të rinj shtetasin Gj. N. pasi kreu manovra të rrezikshme (drift) me automjet, në kryqëzim dhe më pas e postoi video-n në rrjete sociale.
Pas publikimit të një video-je në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Knallës", Shëngjin, duke kryer manovra të rrezikshme (drift) me automjet dhe duke u bërë burim aksidenti për vete dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, policia identifikioi dhe lokalizoi automjetin që shfaqet në video, si dhe kapjen e drejtuesit të tij.
Për kundërvajtjen e kryer, konkretisht për shkelje të nenit 139, pika 3, të Kodit Rrugor "Drejtuesi i mjetit nuk rregullon shpejtësinë në afërsi të kryqëzimeve duke u bërë rrezik për vete dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës", ndaj Gj. N. u vendos masa administrative prej 10.000 lekësh të rinj.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon qytetarët për besimin dhe i fton ata që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë, profesional dhe të paanshëm. Gjithashtu, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe garantimin e rendit.



