
Vakti i darkës është një pjesë e rëndësishme e ushqyerjes, por shumë njerëz frikohen se mund të shtojnë në peshë dhe shpesh vendosin të mos e konsumojnë fare këtë vakt.
Në një intervistë për emisionin "Zgjohu me MCN", nutricionisti Pavli Brozi thekson rëndësinë e darkës dhe disa këshilla për ushqimet që duhet shmangur.
Ka shumë polemika lidhur me orarin e konsumimit të darkës. Sipas ritmit cirkadian, që është cikli natyror i trupit tonë, trupi jonë është më energjik gjatë ditës.
Kur marrim dritë dielli, trupi prodhon dopaminë, një hormon që na mban aktivë dhe energjikë, dhe insulina dhe pankreasi funksionojnë më mirë.
Ky proces ndihmon në përpunimin e sheqerit në gjak dhe shndërrimin e tij në energji që shkon në muskuj dhe qeliza.
Por gjatë natës, kur trupi fillon të prodhojë melatonin (hormoni i gjumit), pankreasi bëhet më i ngadalshëm dhe nuk mund të përpunojë sheqerin në gjak si gjatë ditës.
Sipas nutricionistit, vakti i darkës duhet të konsumohet jo më vonë se tre orë para gjumit.
Ideal është konsumimi i ushqimit tre orë para gjumit, jo më herët.
Kjo është arsyeja pse një darkë e rëndë, sidomos po të konsumohet pas orës 9 ose 10 të natës, mund të shkaktojë probleme me sistemin tretës dhe nivelin e insulinës.
Brozi gjithashtu thekson rëndësinë e një vakti të darkës të balancuar, me sasi të moderuara dhe kalori të kontrolluara.
Problemi i konsumimit të ushqimeve të tepërta është se hormonet e trupit mund të bëhen të çrregulluara, duke ndikuar në nivelin e sheqerit në gjak dhe duke penguar trurin të ndjejë ndjesinë e ngopjes.
Kjo e bën stomakun të "punojë më shumë" për t’u zbrazur dhe për të sinjalizuar trurin që është i mbushur, gjë që çon në konsum të ushqimit më shumë seç duhet.



