Ish-presidenti Bamir Topi është një prej ish-krerëve të shtetit, që u thirrën nga presidenti Meta për një konsultë lidhur me negociatat Shqipëri-Greqi. Në cilësinë e ish-presidentit në kohën e marrëveshjes së detit (viti 2009), një një intervistë për Tema TV, Topi i cilësoi negociatat si një çështje e ndjeshmërisë së lartë kombëtare. Duke u ndalur te letra që Meta i ktheu ministrit të Jashtëm në lidhje me refuzimin e autorizimit për negociatat, Topi tha se gjërat nuk duhet të trajtohen më politikisht.
“Letra ka gjëra që nuk duhet të trajtohen më politikisht. Unë do ta konsideroja mëse normale që shumë gjëra të natyrës delikate për shtetin të mos dalin në publik”, tha ai.
Topi tha se në fazën ku ndodhen negociatat, e rëndësishme është që palët të shkojnë në bisedime pa tensione politike.
“Këto marrëveshje duhet të çlirohen nga tensionet politike. As presidenti, as kryeministri nuk mund të japin gjykim. Gjykimin e japin ekspertët. Ata duhet të jenë njerëz me profil moral, sepse kjo është çështje e rëndësisë kombëtare”, tha ai.
Topi iu rikthye marrëveshjes së vitit 2009, e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
“Një procedurë anormale, jashtë Kushtetutës që e meritoi të rrëzohet. Kushtetuesja qoftë për mosmarrje të lejes së presidentit apo probleme të përmbajtjes së marrëveshjesh, e rrëzoi”, tha ai.
Topi bëri thirrje që çështja të zhvishet nga nuancat politike dhe të thirren në lojë ekspertët.
“Palët duhet të ikin nga debati politik, të rregullohen ato gjëra që duhen rregulluar dhe të merret plotfuqishmëria sepse Shqipëria dhe Greqia e kanë të domosdoshme të realizojnë një proces të tillë. Duhet të thirren në lojë ekspertët”, tha ai.



