Kërcënimi ushtarak kinez kundër Tajvanit është më serioz se kurrë dhe Pekini po kërkon një pretekst për tu trajnuar për një sulm të ardhshëm në ishull.
Kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, në një intervistë për Guardian, në të cilën kreu i diplomacisë së Taipeit ngre një kambanë alarmi mbi synimet e Pekinit dhe nivelin e autoritarizmit të Presidentit kinez, Xi Jinping, i cili doli më i fuqizuar në udhëheqjen e tij pas Kongresit të Njëzetë të Partisë Komuniste të Kinës tetorin e kaluar.
Tensionet midis Kinës dhe Tajvanit arritën nivelet më të larta në dekada gushtin e kaluar, kur Pekini thirri shtatë ditë stërvitje masive ushtarake rreth ishullit, si hakmarrje për vizitën në Taipei nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi.
Jemi mjaft të sigurt se kinezët duan të përdorin një pretekst tjetër për të praktikuar sulmet e tyre të ardhshme kundër Tajvanit.
Kështu tha ministri i jashtëm i Tajvanit, duke folur për një “kombinim presionesh” nga Pekini në ishull, të cilat përfshijnë sigurinë ekonomike, diplomacinë dhe IT-në.
Shqetësues është ndalimi i konsiderueshëm i komunikimeve midis dy palëve, veçanërisht në dy vitet e fundit, që kur Pekini rriti presionin mbi ishullin, mbi të cilin pretendon sovranitet.
Përpara kësaj, linjat e komunikimit ekzistonin ende midis biznesmenëve tajvanezë dhe akademikëve kinezë me lidhje të mira me elitat e Pekinit, por kjo tani duket se ka marrë fund.
Është për shkak të sistemit kinez të qeverisjes që është bërë kaq autoritar. Akademikët kinezë kanë frikë të thonë diçka tjetër përveç propagandës.
Ata na thanë shumë troç se nuk kanë më lidhje me qeverinë qendrore dhe se edhe nëse do të ishin në gjendje të vinin kontakt me burokracitë, këto burokraci duket se nuk kanë më besimin e liderit.



