Aksioni për lirimin e hapësirave publike në bregdetin e Lezhës ka vijuar këtë herë në plazhin e Tales, pas ndërhyrjeve të zhvilluara më herët në zonën e Shëngjinit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga autoritetet, u konstatuan shkelje në tre subjekte private, të cilat ushtronin aktivitet pa lejet përkatëse dhe kishin zaptuar në mënyrë të paligjshme hapësira publike të plazhit.
Si rezultat i aksionit, u sekuestruan dhjetëra çadra dhe shezlongë të vendosur pa autorizim, ndërsa ndaj dy subjekteve u vendosën masa administrative me gjobë.
Bashkia Lezhë bën të ditur se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit veror në të gjithë vijën bregdetare, nga Rana e Hedhun deri në Kune.
Qëllimi i këtij aksioni është garantimi i aksesit të lirë dhe të barabartë për pushuesit në plazhet publike, si dhe respektimi i rregullave nga subjektet që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik.



