Nokia provon të hyjë në territorin e Apple-it dhe Samsung-ut. Dy gjigantët e smartfonëve duket se do të sfidohen nga një produkt tërësisht i ri në treg: bothie.
Pas versionit të ri të legjendarit Nokia 3310, marka në duart e finlandezëve të Hmd Global synon tregun e smartfonëve më të shtrenjtë me Nokia 8, i cili pikën më të fortë ka opsionin e selfieve, aq të dashura sidomos për brezin e ri.
Risia është në shkrirjen e pamjeve të të dy kamerave, asaj përpara dhe asaj të pasmes. Edhe termi bothie vjen pikërisht nga fjala both në anglisht, pra, të dyja së bashku.
Por Nokia 8 nuk është vetëm kaq. Tregu i smartfonëve të shtrenjtë mbetet i vështirë për t’u përballuar, sidomos kur përballë ke iPhone 7 dhe Galaxy S8. Për këtë arsye, Nokia 8 është pasuruar me të tjera detaje dhe do të vijë me një çmim më të përballueshëm.
I bukur dhe i fortë
Me një ekran 5.3 pol dhe rezolucion 2560 x 1440 pixel, Nokia 8 është një Android 7.1.1, që e vë theksin edhe te estetika. Ai është i pajisur me processor Snapdragon 835 nga Qualcomm, i gatshëm për të zbatuar çdo kërkesë të përdoruesit.
Tri fotokamera
Nokia 8 ka 3 kamera: një para dhe dy pas, të gjitha me kapacitet 13 megapixel të realizuara nga Zeiss, një emër i njohur për cilësinë e produkteve teknologjike optike. Ai është i pajisur me Image Fusion Technology, teknologjia që bën të mundur bashkimin e fotogramave për një contrast më të mirë, ndërsa opsioni bothie do të jetë edhe video. Praktikisht, ata që janë të pasionuar pas rrjeteve sociale do të munden të filmojnë edhe veten ndërsa tregojnë pamjen para tyre.
Audio 360 gradë
Edhe pjesa zanore ka risi. Nokia OZO Audio vë në dispozicion të përdoruesit tre mikrofonë dhe një algoritëm të dedikuar për audio 360 gradë, që do t’i bëjë edhe më të pasura filmimet bothie.
Gjithnjë i freskët
Karakteristikat e tjera kanë të bëjnë me RAM 4GB, 64GB memorie e brendshme që mund të shkojë deri në 256GB me anë të një karte MicroSd, ndërsa dimensionet e aparatit janë 151,5x73,7x7,9mm me peshë totale 160 gramë. Interesante është edhe prezenca e një sistemi ftohjeje që garanton uljen e nxehtësisë falë një çipi Qualcomm, i ideuar pikërisht për të mbajtur të freskët telefonin.
Çmim i pranueshëm, por mungon “gjarpri”
Nokia 8 do të shitet për një çmim prej 599 eurosh. Por mungesa e madhe që vihet re kur është fjala për një celular Nokia është loja e gjarprit. Loja e famshme është rikthyer te modeli i ri i Nokia 3310, por mesa duket nuk do të jetë në ekranet e smartfonëve të së ardhmes. / Corriere.it / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



