Politologu Ilir Kalemaj deklaroi në studion e lajmeve të MCN Tv se në zgjedhjet e 14 majit shqiptarët duhet të vendosin për cilësinë e kandidatit më tepër se për logon dhe nuk mund të tolerojnë më premtimet që i bëhen tashmë prej 30 vjetësh.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Kalemaj tha se gara më sfiduese mbetet në Tiranë, megjithëse shtoi se Durrësin dhe Elbasanin i sheh si raste potenciale për t'u fituar nga opozita gjithmonë nëse vendoset të dilet me një kandidat të vetëm.
Një parti e cila është në pushtet është e prirur të konfirmojë kandidatët në detyrë, kjo nuk është e veçantë, nuk është tipike për Shqipërinë dhe në SHBA rreth 80% e kongresmenëve rikonfirmohen në detyrë. Kjo është diçka e pritshme. Problemi është që janë 6 bashki që janë në prag falimentimi, apo që ka bashki që kryebashkiaku është akuzuar nga Rama si rasti i Vlorës. Nuk ka ku të shkojë më keq keqmenaxhimi i këtyre bashkive. Në përjashtim të një bashkie, asnjë bashki tjetër nuk ka arritur të përthithë fonde nga BE. Tregon mungesë lidershipi sa i përket vetëqeverisjes. Shqiptarët nuk mund të tolerojnë më premtimet që janë bërë para 30 vitesh. Shqiptarët duhet të vendosin për cilësinë e kandidatit më tepër se për logon.
Duke qenë se kryeministri nuk ka opozitë të konsoliduar përballë ka dhe luksin të rikonfirmojë 45 kandidatë nga 61.
Një qytet si Vlora për vetë fokusin që duhet të kishte, arriti fundin me Dritan Lelin, për shkak të një lloj apatie, mungese energjie. Rama ishte kritik me të, po ashtu dhe Gjiknuri, edhe PS sa i përket mungesës së organizimit. Ishte pika më e ulët ku mund të arrinte PS pas dekadash që qeveriste atë qytet.
Më sfiduesja është Tirana. Tirana ka përqendrimin kryesor, gati 50% të prodhimit bruto, rreth 35% të demografisë. Tirana vlen sa gjysma e Shqipërisë, prodhon 33 deputetë. Kemi një kandidat që garon për herë të tretë nga PS dhe mendohet si pasardhësi i Ramës nëse vazhdon të fitojë sërish. Janë 9200 patronazhistë mund të ketë vajtur 15 mijë, paguajmë ne për t’i mbajtur ata rrogëtarë, ata qëndrojnë në rrjetet sociale dhe rrijnë vëzhgojnë, kjo s’ka lidhje me praktikën e vendeve demokratike, është e dënueshme dhe të vjen keq për stadin. Bashkia e Tiranës punëson 8 mijë veta direkt dhe indirekt.
Janë disa qindra kandidatë për këshilltarë bashkie që i ka kapur dekriminalizmi. Përse duhet partitë të kandidojnë kandidatë me rekorde kriminale, pse nuk shërben filtri i brendshëm? Pse duhet të marrim rrugaçë që të kandidojnë dhe të ushtrojnë rrugaçërinë e tyre? Pse nuk zgjedhin njerëz në normal, që janë të pranuar nga komuniteti.
Janë ndarë në 3 pjesë brenda grupit Alibeaj. Ka një pjesë që thonë duhet të dalim me 61 kandidatë, ka një pjesë që thotë s’duhet të kemi kandidatë për kryebashkiakë dhe ka një pjesë që thotë të kenë në disa zona.
Ne nuk arrijmë të kuptojmë nëse nuk gjejnë dot kandidatë apo duan të mbajnë partinë të bashkuar. Baza opozitare do një bashkim sa më të gjerë të mundshëm. Pse nuk bëjnë një hap pas dhe të lënë bazën të bashkohet drejt atij kandidati që ka më shumë mundësi. Nëse jo të bëjnë të kundërtën të dalin me 61 kandidatë.
Opozita siç po hyn e humbur do jetë përballë mazhorancës në terma absolutë.



