
Në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit, vitet e fundit është vënë re një rritje e pranisë së kafshëve të egra. Fatos Nako, drejtori i Asgjësisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Berat, në një intervistë për MCN lajme, thotë se ky mal me biodiversitet të pasur është habitat pothuajse i të gjithë gjitarëve të mëdhenj që ndodhen në vend dhe se për këtë po punohet në krijimin e kushteve për këto kafshë të egra. "Parku Mali i Tomorit është nga habitatet më të mëdha dhe më të mira në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, përsa i përket ambienteve natyrore për kafshët e egra dhe për këtë ne kemi punuar vazhdimisht për përcaktimin e popullatave të kafshëve të egra, një ndër detyrat e administratës tonë. Në parkun e Malit të Tomorit, mund të gjenden pothuajse të gjithë gjitarët e mëdhenj që ndodhen në Shqipëri, si ariu i murrmë, dhia e egër, kaprolli, ujku, dhelpra, gjithashtu gjenden dhe shumëllojta shpendësh, kohët e fundit ne kemi prezencë edhe të Kalit të qyqes, e cila është një shpend që është mjaft e rrezikuar dhe gjendet në librin e kuq të këtyre kafshëve". Nako, pohon se ligji për monitorimin e gjuetisë në zonat e mbrojtura ka ndikuar në masë të madhe në shtimin e kafshëve të egra në tërësi, por mbi të gjitha të kafshëve të rrezikuara për zhdukje. "Moratoriumi i gjuetisë ka ndikuar në shtimin e këtyre kafshëve por duhet theksuar se në zonat e mbrojtura gjuetia është gjatë gjithë kohës e ndaluar. Moratoriumi ka bërë që të ulet presioni në zonat përreth këtyre zonave të mbrojtura duke bërë që edhe sigurimi i ushqimit në momente të caktuara, në kafshë të egra, të bëhet më lehtë se sa në kushtet e një gjuetisë të përditshme".



