Gazetari Klodian Tomorri, Bordin e Transparencës për caktimin e çmimeve për karburantet, e cilëson si një praktikë që nuk duhet të ndodhë pasi shkon në kundërshtim me interesin publik.
Ai tha për MCN Live se tregu jep çmime më të ulëta se ai që cakton Bordi, duke e cilësuar absurd dhe paradoks që e nxjerr të diskretituar.
Tregu po jep çmime më të ulëta. Është një absurd i jashtëzakonshëm. Ajo që ka ndodhur këto ditë në tregun e karburanteve, konfirmoi se tregu funksionon.
Ka operatorë që duan të fitojnë përmes konkurrencës, bordi është thikë në zemër që i ngulet transparencës. Bordi është një kartel i institucionalizuar me qeverinë në krye.
Kur filluam të denonconim se bordi po vendos çmime më të larta se vetë tregu, pati reagime nga qeveria se po sulmoni tregun. Tregu po jep çmime më të lira se sa bordi, nuk ka sens që bordi të ekzistojë.
Qeveria ka një detyrim të rihapë tregun, çmimet të vendosen nga mekanizmi i kërkesë-ofertës dhe institucionet kanë detyrimin të ndërhyjnë nëse në treg ka kufizime të konkurrencës.
Qeveria jonë ka marrë atribute të përcaktojë çmime. A mundet një bord të ketë fuqinë që të përcaktojë një produkt që vjen nga miliona transaksione dhe që është një fuqi shumë e madhe?
Tomorri shtoi se nuk mendon që në këtë situatë përfiton ndonjë njeri, duke nënvizuar se bordi është mundur dhe se tregu i lirë triumfoi.
Sipas tij, në Tiranë kemi kompani që shesin me çmime deri 15 lekë për litër më pak se çmimi i Bordit, gjë që siç tha ai, do të thotë se qytetarët e kanë zgjidhjen për të shkuar tek ata që sheshin më lirë. Në këtë kontekst për Tomorrin, fuqia e Bordit ka rënë dhe është diskretituar.
Ngritjen e Bordit e shpjegoi me oreks të qeverisë, për të diktuar tregun, ndërsa deklaroi se shkuarja drejt modelit me treg të rregulluar të karburanteve, nuk do të ishte një praktikë e mirë.
Nëse ti lë qeverinë të përcaktojë çmimet apo të diktojë se si do funksionojnë tregjet. Qeveria të ndërhyjë me reforma apo masa të tjera, për të hequr barrierat e konkurrencës, kaq besoj se duhet të jetë roli i shtetit.



