Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka pushuar hetimet me kërkesë të Prokurorisë, ndaj ish-kandidatit për kryetar bashkie në Shkodër, Valdrin Pjetri. Vendimi u shpall të mërkurën e kaluar nga gjyqtari Artan Gjermeni, pas shqyrtimit në seancë paraprake të kërkesës së Prokurorisë për pushimin e çështjes penale ndaj Pjetrit. Ndërkohë, procedimi ndaj Pjetrit nisi më datë 17 dhjetor 2019, ku Prokuroria e Përgjithshme njoftoi atë kohë se Valdrin Pjetri nuk kishte kryer deklarimin në formularin e ligjit për dekriminalizimin të dënimit në Itali për “mbajtje të lëndës narkotike”. Ndërkohë, prokurori i çështjes është shprehur gjatë kërkesës së tij në seancën e së mërkurës, se e bazoi kërkesën për pushimin e çështjes në vendimin që Gjykata e Firences ka dhënë ndaj Valdrin Pjetrit në vitin 2003, kur e dënoi atë me 18 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për mbajtje lëndësh narkotike. Në kërkesën për pushim të prokurorisë thuhet se Gjykata e Firences kishte vendosur pezullimin e dënimit dhe mospërmendjen e tij në të ardhmen. “Vetë vendimi i dënimit të tij në pjesën e dispozitivit deklaronte që ky vendim nuk duhej të përmendej në të ardhmen ose të bëhej publik,” është shprehur prokurori Ervin Karanxha në Gjykatën e Tiranës.
Më tej, prokuroria argumentoi se duke qenë se vepra penale ka ndodhur në shtetin fqinj, në rastin konkret zbatohet ligji penal italian dhe jo ai shqiptar duke konkluduar se Pjetri nuk i ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Kujtojmë që Valdrin Pjetri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Shkodrës si kandidat i vetëm në vitin 2019, por u tërhoq dhe nuk e mori detyrën pas denoncimeve publike të bëra nga Partia Demokratike, se ishte dënuar në Itali për çështje të lidhura me drogën.
Por çfarë do të ndodhë tashmë me mandatin e lënë nga vetë Valdrin Pjetri pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës? Sipas juristëve, ndaj Valdrin Pjetrit tashmë nuk ka asnjë ndjekje penale. Pas shqyrtimit të dosjes së marrë nga autoritetet italiane, ka rezultuar se Pjetri nuk ka kryer vepër penale që mund ta dëmtonte në të ardhmen. Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Shkodër, pas denoncimit të PD nuk pranoi të merrte detyrën, duke dhënë menjëherë dorëheqjen për t’u përballur kështu me hetimet e prokurorisë. Sipas juristëve, Pjeti ka dhënë dorëheqjen nga ajo detyrë e cila më pas bëri që të qëndronte në krye të Bashkisë Shkodër Voltana Ademi. Me pushimin e hetimeve nga Gjykata, Valdrin Pjetri mund të rikandidojë sërish për një mandat tjetër në zgjedhjet e ardhshme në Shkodër.



