Gazetari Xhevair Zhabina i ftuar në MCN Live u shpreh se ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në Lezhë ku mbeti i vdekur 42-vjeçari Nikolin Marku Lekstakaj, ishte e paralajmëruar. Sipas tij detaj i rëndësishëm është telefoni i viktimës i cili duhet zbërthyer për të kuptuar nëse viktima ishte komunikuar nga dikush për të dalë në atë orë. Zhabina tha se kjo është një ngjarje e vështirë për tu zbuluar pasi nuk ka prova dhe kur ato ndodhin informacioni qarkullon brenda rrethit të ngushtë dhe policia e ka të pamundur të shkojë te ky informacion. “Ishte ngjarje e paralajmëruar. Të gjithë ne e dinim për shkak të asaj që ndodhi në prill do kishte një reagim dhe deklarata e policisë në Lezhë tregon që ata po e ndjekin këtë hetim. Gjithsesi po ndiqet dhe një pistë tjetër me qëndrimin e viktimës jashtë. Një tjetër detaj është telefoni i viktimës për të konfirmuar nëse e ka telefonuar kush që të dilte në atë orë pasi dhe vrasësit ishin precizë. Duket një atentat i mirë planifikuar, pasi një makinë e vjedhur në Dimalë, Urë Vajgurore dhe përdoret në Lezhë. Policisë do i duhet një punë me madhe hetimore, në këtë rast kemi dy persona dhe makina zhduket. Mendoj që është ngjarje e vështirë për tu zbuluar pasi nuk ka prova. Kjo ka nisur për 10 mijë lekë të vjetra në një karburant dhe më pas saga e gjakmarrjes ka vazhduar. Këto ngjarje janë shumë vështirë për tu parandaluar, janë familje me fuqi financiare. Diskutimet qarkullojnë në rreth të ngushtë njerëzish dhe policia e ka të pamundur të shkojë te ky informacion.”, u shpreh Zhabina.



