
Në drejtim të Bardhok Planaj janë shënuar në breshëri e tërë plumbash, të cilët janë gjendur të përhpur gjithandej në vendin ku ndodhi ngjarja. Sipas burimeve, në drejtim të mjetit ku udhëtonte 46-vjeçari janë qëlluar mbi 120 plumba, ndërsa 20 prej tyre kanë prekur trupin e Planajt. Ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhrshme.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, ndërsa për uniformat blu kjo është një prej vrasjeve më të mirëorganizuara në Shkodër dhe më të bujshmet e realizuar nga krimi i organizuar. Një makinë tip “passat” me targa italiane ka pritur poshtë shtëpisë së tij në hyrje të rrugës Shkodër-Koplik Bardhok Planaj, i cili sapo ka hipur në mjet, pas pak metrash është qëlluar me breshëri automatiku.
Kanë qenë dy persona, të cilët kanë qëlluar në të njëjtën kohë dhe pa pushim ndaj “Kumbarit” të Shkodrës, i cili ndodhej në një mjet tip “Range Rover” ngjyrë e zezë. Autorët e kanë qëlluar nga makina në ecje e sipër objektivin e tyre duke e ndjekur për rreth 150 metra dhe duke mos i lënë asnjë mundësi që të lëvizë. Pasi ka humbur kontrollin e mjetit nga plumbat që ka marrë në trup mjeti i viktimës është përplasur në oborrin e një pike lëndësh ndërtimi duke përfunduar aty. Autorët paralel me mjetin e 46-vjeçarit kanë qëlluar përsëri në drejtim të tij duke u siguruar plotësisht se nuk ka patur asnjë shans që të shpëtojë. Mendohet se dy autorët që kanë zbrazur të paktën nga dy karikatorë kallashnikovi me nga 32 plumba secili.
Menjëherë pas vrasjes, autorët ende të paidentifikuar janë futur në një rrugicë dytësore pak metra nga vendi i ngjarjes në aksin Shkodër-Koplik duke e djegur mjetin e tyre dhe duke u larguar në drejtim të paditur. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë duke nisur hetimet paraprake për këtë vrasje të bujshme në Shkodër por deri më tani nuk ka asnjë lloj dyshimi lidhur me autorët e mundshëm apo porositësit e kësaj vrasje. Sipas burimeve nga uniformat blu, ka një dyshim se ky ekzekutim mund të jetë bërë me pagesë.
Bardhok Plani njihej si një prej personazheve të fortë në Shkodër i cili disa herë ka patur probleme me drejtësinë por i ka shpëtuar dënimeve. Gjithashtu 46-vjeçari ishte një personazh me lidhje të forta me drejtësinë dhe politikën por mbante raporte edhe me individë apo grupe të tjera kriminale. Kjo vrasje ka prishur balancat dhe mund të hapë një seri tjetër ngjarjesh të rënda kriminale në Shkodër. Mbrëmjen e djeshme në hetime mori pjesë edhe drejtuesi i lartë i policisë së shtetit Tonin Vocaj. Deri më tani nuk ka persona të shoqëruar pasi policia për momentin nuk ka asnjë dyshim.



