Marsida Duli, mjeke nefrologe, foli në studion e MCN në lidhje me sfidat e pacientëve në dializë. Ajo e vuri theksin te monitorimi i hershëm i shëndetit të veshkës.

Është e përhershme. Flasim për pacientë që bashkëjetojnë me sëmundjen e veshkës. Kjo sëmundje kërkon monitorim të përhershëm të aparatit urinar. Ndikon në shumë sfera, madje edhe në sferën seksuale. Aplikimi i terapive ndikon gjithashtu. E rëndësishme është që i gjithë udhëtimi i pacientit deri te dializa apo transplanti të jetë sa më i gjatë. Ne mund të ndërhymë në etapa dhe të rregullojmë të gjithë elementët që janë të çrregulluar. Pacientët tanë përfitojnë medikamente që janë me rimbursim dhe kur është nevoja për terapi zëvendësuese janë dy opsionet: dializa apo transplanti. Terapia është një dhuratë që shkenca na e ka bërë. Masa më e parë është kontrolli, monitorimi dhe informacioni i qartë i gjendjes në të cilën ndodhet veshka.

Duli vlerësoi rolin e medias në rritjen e kulturës shëndetësore.

Media jep një kontribut të madh në çështjet e shëndetësisë. Kjo edukatë shëndetësore duhet të lindë që në bankat e shkollës. Duhet të evokohet kontrolli, shëndeti i mirë. Secili nga ne duhet të ndikojë sadopak në krijimin e edukatës shëndetësore.

Ajo theksoi domosdoshmërinë e konsultimit me mjekun, në çdo rast, në mënyrë që të shmanget marrja e medikamenteve që kanë efekte anësore.

Është bërë rutinë që në një gjendje virale të marrim një medikament pa pasur informacion. Përmes një tablete magjike duam të zgjidhim të gjitha problemet e organizmit. Por jo çdo medikament zgjidh problematikat. Ne nuk duhet të trajtojmë dhimbjen, por shkakun e saj.