Komiteti teknik i Ekspertëve ka prezantuar masat e reja anti-Covid. Ora policore do të nis në orën 20:00 dhe po kështu edhe në këtë orar do të mbyllen edhe baret dhe restorantet.
Gjithashtu do të ketë edhe një zgjatje të sezonit të provimeve, duke bërë një kombinim mes provimeve online dhe atyre ne auditorë.
Këto masa do të jenë në fuqi deri më 25 shkurt, ku ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se në varësi të zbatimit të këtyre masave do të gjykohet nëse do të ketë rregulla të reja më shtrënguese ose jo.
"Jemi sot në një moment sa delikat, aq edhe të rëndësishëm. Ka dyshime të arsyeshme se kemi një qarkullim të mutacioneve të reja të virusit Covid-19. Jemi në një situatë ku me gjasë prej këtyre varianteve të reja kemi shtim të infeksioneve. Kushtet e dimrit e bëjnë edhe më të pafavorshme situatën. Kemi shtim të infektimeve, ulje të moshës së të prekurve. Kjo ka sjellë një shtim të ndjeshëm të misioneve të urgjencës kombëtare, misioneve në banesë. Kjo situatë në ditët e fundit është shoqëruar edhe me shtim të rasteve në spitale dhe rritje të pacientëve në terapi intensive.
Komiteti i Ekspertëve ka vlerësuar situatën dhe mbi bazën e një analize shumëplanëshe, ka vendosur ditën e sotme këto masa: ndalimi i qarkullimit nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, me përjashtim të urgjenca dhe punës. Kjo do të jetë për një periudhë 14 ditore. Kjo masë do të nisë nga dita e enjte", tha ajo.
Manastirliu është shprehur se është vendosur që shkollat e mesme në qarqet kryesore ku ka shkallë të lartë infeksioni do të vijojnë mësim online nga data 11 deri në 25 shkurt.
"Shkollat e mesme me zonat e rriskut të lartë do të aplikojnë skenarin e tretë atë të mësimit onlinë në disa shkolla. Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet antiCovid", tha ajo.
Fico: 77% e kapaciteteve në spitale të zëna, të shtruarit më shumë të rinj
Drejtoresha e ISHP, Albana Fico ka mbajtur fjalën e saj në Komitetin Teknik për masat e reja kufizuese. Fico thotë se incidenca dhe përhapja e Covid-19 në javën e fundit është e madhe.
Ndërkaq ajo thotë se me rritjen e rasteve, shtohen dhe shtrimet në spital. Theksin Fico e ka vendosur tek moshat e reja për të cilat ka konstatuar se virusi po përhapet më shpejt prej tyre, ndërsa mosha në spitale është ulur. Sipas saj 77% e kapaciteteve në spitalet COVID janë të zëna.
“Incidenca ësthë më e lartë dhe përhapja më e madhe. Mesatarja e javës është rritur në 1 mijë e 30. Pavarësisth numrit të shtuar të testimeve, të dhënat tregojnë rritje edhe moshat 15-24, 25-34. Sinjalet që po na jep laboratori i ISHP, përbën dyshim për variantet mutante.
Këtë javë kemi shtim të infeksioneve respiratorë që shkojnë paralelisht me sezonin e dimrit. Edhe shtrimet në spitale, çka e kemi mësuar se me rritjen e të infektuarve, dhe të intubuarve pësojnë rritje. Mosha mesatare në spitale është ulur.
Aktualisht 77% e kapaciteteve në 4 spitalet COVID janë të zëna. Në shërbimet e reanimacionit janë 34% të zëna. Fakti e këtyre vendimeve tejet të vështira, për profesionistë, autoritete shëndetësore, ne kemi masa respektimi i të cilave është parësor. Kemi ndjekur dhe provuar që sa herë kemi respektuar kemi shkuar para.
Pavarësisht masave të reja sot, duhet të jemi të qartë që distancimi fizik, maska, puna online aty ku duhet. Mësimi me implemente online, çfarë na është rekomanduar, ato janë duhen zbatuar, dhe bashkë do ia dalim”, tha Fico.
Mutacionet e reja/ Bino: Kemi dërguar në Londër 50 mostra
Doktoreshë Silva Bino ka bërë me dije se janë dërguar në Londër për të parë nëse një qytetar është prekur me mutacionet e reja të COVID 50 mostra. Dyshohet për variantin britanik dhe afrikan.
“50 mostra që po dërgohen në ISHP të Londër, janë mostra të përzgjedhura nga ri-infeksionet, nga ato që ne kemi dyshuar, së bashku edhe me laboratorët provat, të dyja llojet mund të jenë prezentë, ai i Afrikës së Jugut ose i Britani, nga rritja e numrit të infeksioneve, prekjes së moshave të reja.
Këto laboratorë janë laboratorë referencë, të mbingarkuar, por ne kemi marrë konfirmimin që mostrat tona do të shikohen”, tha Bino.



