
Kryetarja e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një takimi me të rinjtë, gjatë prezantimit të iniciativës Ekipi i Gjeneratës për Ndryshim, ka hedhur akuza mbi kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke e cilësuar si të pabesë.
Teksa foli për zgjedhjet e 25 prillit, Kryemadhi tha se u ndodhën përballë sfidave me bandat, pabesinë dhe në partneritet me një armik në krah.
Ajo listoi nismat që ata kishin si synim të realizonim pas 25 prillit, po thekoi se në këto zgjedhje, kishin në krah si aleat një armik.
“LSI ka ardhur si një iniciativë e të rinjve. Ne vijmë sot pas zgjedhjeve të 25 prillit ku kontributi juaj ka qenë i jashtëzakonshëm përballë sfidave me bandat, me pabesinë. Me një partneritet që e kishim armik në krah. Votat janë mbështetje për vetë vizionin tuaj dhe pesha elektorale nuk u përkthye në mbështetje”.
Kryemadhi theksoi se pas 25 prillit do kërkonin ndryshime legjislative” në mënyrë që pushteti t’i kalojë parlamentit”.
Sipas saj vendi ka nevojë për një parlament të vërtetë dhe jo teatër ku certifikohen aferat korruptive nga dy persona, duke shigjetuar kështu kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha.
“Edhe sot e kësaj dite vazhdojmë të jemi peng e jetës kriminale. Pas 25 prillit do të kërkonim balancim të pushtet ekzekutiv me atë legjislativ që Shqipëria të mos jetë më republikë kryeministrore por parlamentare. Kemi një parlament teatër që certifikon marrëveshjet mes dy personave që mbajnë peng Shqipërinë”, u shpreh ajo.



