
Efektivëve të forcave të rendit u është kërkuar të dhurojnë shuma parash në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti. Denoncimi është bërë nga ish-kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, i cili ka publikuar në rrjetet sociale një urdhër të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Sipas dokumentit, masa e kontributit ndahet në 3 kategori, në bazë të pozicionit në Policinë e Shtetit.
“Edi Rama që s’prek koncesionet me urdhra të paligjshme u mban rrogën me pahir policisë me sebepin e ndihmës për situatën. Shikojeni me sytë tuaj dokumentin se si solidariteti bëhet me urdhër në polici nga Edi Rama dhe drejtorët e tij”, shkruan Vasili.
Denoncime të ngjashme janë raportuar edhe në rrjetet sociale. Punonjës të administratës denoncojnë urdhrat që u janë dhënë gojarisht ose me shkrim për kontribut financiar të detyruar.





