Erven Hyseni, biznesmeni që humbi jetën sot në Vlorë, në mes të qytetit, në një atentat mafioz, dyshohet se ka qenë objektivi që kanë pasur autorët, ndërsa drejtori i OSHEE të Vlorës, Roland Saliu, raportohet se është gjendur rastësisht në vendin e krimit.
Saliu dhe Hyseni ndodheshin të ulur në një lokal, kur papritur janë përshkuar nga breshëria e plumbave, rreth orës 19:40.
Nga gëzhojat e mbledhura në vendin e ngjarjes hetuesit kanë arritur në përfundimin se autorët kanë hapur zjarr me një armë automatike.
Ndërkohë, përveç agjentëve që po ekzaminojnë vendin e krimit për të mbledhur prova, të tjerë kanë ngritur postoblloqe në zona të ndryshme të qytetit bregdetar.
Nga kontrollet e kryera është gjetur një mjet i braktisur në rrugën e vjetër të Panajasë, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Makina është një “BMW” me targën “AA 348 PC”.
Hyseni është i afërm i njërit prej viktimave të masakrës së Çoles, Akil Rakipit që mbeti i vrarë në masakrën e Çoles në vitin 2015.
Masakra e Çoles ndodhi në prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë shtetasit Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.
Nuk dihet nëse Hyseni dhe Roland Saliu ishin bashkë në një tavolinë në lokal.
Erven Hyseni ishte pronar i "Vlora Channel".



