Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, e ka nisur vizitën në Tiranë me një fjalim përshëndetës në Parlament. Varhelyi tha se Ballkani Perëndimor ka qenë dhe do jetë gjithmonë prioritet i BE për të mundësuar integrimin e plotë të rajonit.
“Ne do t’ju qëndrojmë pranë, ne jemi me ju dhe po punojmë fort që ju të bëheni shtete plotësisht të integruar në jetën tonë në BE. Ballkani Perëndimor ka qenë përparësi për ne, dhe kemi qenë të angazhuar për të mbajtur premtimet për Ballkanin. Jemi të bindur që në fakt e gjithë e ardhmja e rajonit është në BE. Kemi marrë disa masa dhe e kemi kaluar ngërçin që kishim në Këshill për hapjen e negociatave. Puna jonë ka vazhduar në tre drejtime për të rigjallëruar procesin dhe të çelim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpresoj që gjatë kësaj Presidence të kemi mbledhjen e konferencave të para ndërqeveritare që të nisim më pas negociatat”, tha ai.
Varhelyi theksoi se reforma zgjedhore është kusht për nisjen e konferencës së parë.
“Shqipëria ka ndjekur me vendosmëri reformat dhe vendi ka bërë përparim dhe është shumë pranë përmbushjes së kushteve për të hapur konferencën e parë ndërqeveritare. Vlerësojmë punën e bërë deri tani me reformat. Zbatimi i ligjit dhe Reforma në drejtësi ka bërë një rrugëtim të mirë, sidomos me procesin e vetingut ku përparimi ka qenë i qëndrueshëm dhe vlerësojmë punën e madhe e bërë deri më tani. Janë hapur edhe dy procese ku Gjykata e Lartë ka fituar kuorumin dhe është funksionale. Edhe zbatimi i ligjit dhe lufta kundër krimit ka bërë përparësi, ku drejtësia e re ka pasur zbatimin ku e kemi parë në operacionet e mëdha edhe ndërkombëtare. Inkurajoj të gjitha palët të mbajnë fokusin në këto reforma të domosdoshme përfshirë edhe 5 qershorin. Kam mirëpritur marrëveshjen e 5 qershorit, zbaton rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare. Vijimësia e këtyre reformave do të jetë e rëndësishme sa i përket kuadrit negociues, institucionet duhet të punojnë me njëra-tjetrën për të ecur drejt integrimit", tha Varhelyi.
Rama: Plani ekonomik do na integrojë me tregun europian
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët me komisionerin për zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se plani i ri ekonomik do të ndihmojë Shqipërinë të përshtatet me tregun europian. Rama më tej thotë se zhvillimi përmes bashkëpunimit është e vetmja rrugë për të dalë në një tjetër hapësirë dhe për ti lënë gjeneratave të tjera një rajon shumë më të mirë.
“Do t’ju jemi mirënjohës gjithmonë. Bashkëpunimi ka dhënë fryte të veçanta dhe në të gjitha aspektet që lidhen me objektivat e përcaktuara nga Komisioni për çuarjen para të agjendës së integrimit. Ne kemi vazhduar dhe do të shkojmë para në bindje të plotë që duhet ti bëjmë të gjitha këto Reformën në Drejtësi, përsosjen e administratës publike dhe të tjera, jo se na i kërkon Brukseli, por sepse është obligimi ynë ndaj fëmijëve tanë.
Plani i ri ekonomik është një mundësi e jashtëzakonshme e re, që krijohet nga Komisioni i ri Europian që ka ardhur me një qasje të re dhe po implementon një politike të re në rajon.
Ky plan është një prove konkrete e prekshme e shumë arsyeve të mira dhe një bindje e madhe që qëndron në vizionin e Shengenit Rajonal. Vizioni i një rajoni ku zhvillimi përmes bashkëpunimit është e vetmja rrugë për të dalë në një tjetër hapësirë dhe për ti lënë gjeneratave të tjera një rajon shumë më të mirë.
Në plan ka shumë aspekte, por ai kryesori është që do na ndihmojë të integrohemi gradualisht me tregun europian,”-u shpreh fillimisht Rama.
Më tej kryeministri tha se komisioneri Varhelyi ka qenë i pari që e ka telefonuar për t’i shprehur mbështetjen në periudhën e pandemisë.
“Së fundi dua që të kujtoj se Komisioneri Europian nuk ka qenë për të na ngushëlluar në momente të tragjedisë, nuk kanë qenë me ne kur falë tyre u thirr një konferencë e paharrueshme për Shqipërinë solidariteti, nuk kanë qenë këtu as vetëm përmes Komisionit për të vazhduar implementimin e programit të rindërtimit, por megjithëse COVID-i i goditi të gjithë, Komisioneri ka qenë telefonata e parë nga jashtë, nga BE për të më garantuar që Komisioni do të jetë pranë Shqipërisë dhe rajonit pavarësisht vështirësive që ka pasur.
Jemi në një moment kur marrëdhëniet me Komisionin kanë një konkretësi shumë të madhe”, u shpreh Rama.
Ndërkohë komisioneri për zgjerimin Varhelyi tha se BE e ka shumë seriozisht politikën e zgjerimit për Shqipërinë. Më tej ai deklaroi se kishte sjellë lajme të mira për shqiptarët, që kanë të bëjnë me planin ekonomik të investimeve.
“Ne kemi ardhur ose po vijmë në fund të rinovimit të asaj që quhet politika e zgjedhimit. Kur nisëm punë si komision, ne e bëmë të qartë që ditën e parë të detyrës. E kemi me të vërtetë dhe do të vazhdojmë punën me Ballkanin Perëndimor. Do e bëjmë këtë dhe me politikën e zgjerimit. E kemi seriozisht. Ne kemi mundur që të marrim dakordësinë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tani kalojmë tek segmenti i tretë i kësaj pune të madhe, dhe kjo ka të bëjë me planin ekonomik të investimeve. Plani duhet të përshpejtojë punën që duhet të bëjë rajoni për të kapur ritmin e BE. Patëm krizën e COVID, dhe kjo ishte sfidë e madhe. Ndaj ndihmuam me fonde vendet e Rajonit. Ky është një plan të cilin ne e kemi ndërtuar me vendet e rajonit. S’jemi këtu t’ju themi se kjo është gjeja më e mirë, por për t’ju dëgjuar. Na kanë ardhur idetë, projektet, në mënyrë që rimëkëmbja të jetë më e shpejtë. Ne e kemi përpiluar dhe projektuar këtë paketë, duke pasur parasysh se çfarë është thënë nga rajoni. Mendojmë se plani që jemi këtu sot, mund të ndryshomë panoramën e rajonit për 4-5 vitet e ardhshme. Ne po përfitojmë 9 mld euro me grante për këtë plan. Ne duam që me këto fonde tyre arrijmë dhe një shtesë prej 20 mld euro. Po flasim për një plan madhor, që do të sjellë vende pune dhe rritje ekonomike. Ka një hendek të madh mes disponueshmërisë së internetit, me nevojat e biznesit. Jemi këtu për të ndihmuar. Në rast se ju doni të keni ekonomi digjitale, do ju duhet bota. Shqipëria do i japë furnizim me gazin në të gjithë rajonin. Ne jemi të gatshëm që të sjellim në pararojë të gjitha projektet. Ne jemi të gatshëm që të flasim për korridoret blu, në pjesën e bregdetit që të punojmë për gazsjellësin. Që të punojmë për dy hidrocentrale në Shqipëri. Janë projekte madhore që do të sjellim përmirësim të klimës së investimeve”, tha ai.



