
10 tonë mandarinat me pesticide që u kthyen nga Kroacia para pak kohësh u hodhën në tregun shqiptar për konsumim, teksa tri persona janë vënë në pranga lidhur me rastin.
Seksioni për hetimit e Krimit ekonomik-financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës parë të juridiksionit të përgjithshëm Berat, pas hetimeve disa mujore të kryera në kuadër të Procedimit Penal i regjistruar për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi detyrës”, ka bërë ndalimin e shtetasve: Arben Dyli, Elton Tafa dhe Elson Tahiraj.
Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi Elton Tafa me profesion Fermer ka shitur te shtetasi Arben Dyli (administrator i pikës se grumbullimit) një sasi prej rreth 10 tonesh mandarina te cilat me pas subjekti i shtetasit Arben Dyli i ka eksportuar drejt Kroacisë.
Nga autoritetet Kroate janë kryer analizat e nevojshme nga ku ka rezultuar se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lartë te pesticidi “Fosmet”, pesticid ky i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për tu përdorur.
Neë këto kushte ngarkesa e mandarinave është kthyer mbrapa në vendin e origjinës ku rezulton se është tërhequr nga shtetasi Arben Dyli dhe më pas dyshohet se është hedhur përsëri në treg duke mos e asgjësuar sipas procedurës përkatëse.
Gjithashtu dyshohet se shtetasi Elson Tahiraj me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme ndër të cilat dhe subjekti i shtetasit Arben Dyli.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës parë të Juridiksionit të përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme hetimore.



