
Kryeqyteti i Ukrainës, Keivi, do të vendosë shtetrrethimin, duke filluar nga ora 17:00 e pasdites së sotme, deri në orën 08:00 të mëngjesit tjetër.
Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku i Keivit, Vitali Klitschko, i cili ka thënë se ka shpallur shtetrrethimin e ri për kryeqytetin ukrainas. Kjo masë hyn sot në fuqi, duke zëvendësuar shtetrrethimin e mëparshëm nga ora 22:00 deri në 07:00 të këtij mëngjesi.
Kryebashkiaku ka paralajmëruar në “Twitter” se “Të gjithë civilët në rrugë gjatë shtetrrethimit do të konsiderohen anëtarë të grupeve të sabotimit dhe zbulimit të armikut”.
Ushtria ukrainase tha se mbi 3,500 ushtarë rusë janë vrarë që nga ndërhyrja e forcave ruse në Ukrainë, më 24 shkurt.
Në një postim në Facebook, ajo tha se rreth 200 të tjerë janë zënë robër. Sipas saj, Rusia ka humbur edhe 14 avionë, tetë helikopterë dhe 102 tanke.
Rusia, deri më tani, nuk ka komentuar për viktimat apo humbjet e tjera eventuale, ndërsa vazhdimisht deklaron se forcat ruse kanë marrë qytete. Por shihni hartën e BBC se cilat zona kontrollon ushtria ruse. Zonat me të kuqe kontrollohen nga Rusia. Krimea është aneksuar në 2014.



