Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, u bëri thirrje politikanëve kosovarë që shkojnë në zgjedhje të reja, të mos i harrojnë çështjet e mëdha siç është integrimi evropian. “Nëse grinden për këtë, për atë, nuk do të jetë gjë e mirë. Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës kanë humbur kohë gjatë një apo dy vjetëve të kaluar”, tha Lunacek, një ditë pas rënies së Qeverisë së Kosovës dhe shpërndarjes së Kuvendit të saj.
“Bëjini detyrat e juaja, formoni qeveri të mirë, me shumicë të mirë në Kuvend dhe merruni me gjërat serioze. Ka pasur ca rritje ekonomike, ka pasur ca rritje në punësim – së paku çfarë thonë shifrat –por duhet të bëhet më, sidomos për të rinjtë dhe gratë. Qeveria e ardhshme duhet të përqendrohet në sigurimin e kushteve më të mira ekonomike, sociale, në arsim, në shëndetësi. Kjo është ajo që duan qytetarët. Kjo është ajo që duam edhe ne si BE për qytetarët e Kosovës”, tha Lunacek. Ajo theksoi se në BE ka mbështetje për Kosovën dhe se atje duan që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, të bëhet anëtare e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, të shihet si shtet, si republikë “pa e vënë askush në dyshim”. “Ka shpresë, ka të ardhme për Kosovën në Bashkimin Evropian”, theksoi Lunacek.



