Gurakuç Kuçi, doktor i shkencave të sigurisë, e krahason situatën në veri të Kosovës me atë në Ukrainë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Në studion e lajmeve përmes Skype-it, Kuçi tha se pas tensionit të krijuar janë bandat e Vuçiçit.
Sikur Kosova t’i kishte marrë propozimet që i erdhën, nuk do të kishim ardhur deri te ky nivel.
Ndërkombëtarët panë realitetin dhe sugjeruan shtyrjen e zgjedhjeve. Më shumë na e kanë treguar ata realitetin sesa e kemi marrë nga organet zyrtare të policisë së Kosovës.
Zgjedhjet janë shtyrë për datën 30 prill. Gjatë kësaj periudhe mund të gjendet zgjidhje. Serbët në veri janë nën alarmin e protestave, ka barrikada. Është një gjendje si ajo pas pushtimit të Krimesë në 2014 në rajonet e Donjetskut dhe Luhanskut.
Nuk janë serbët e Kosovës. Janë bandat e Vuçicit.
Kuçi shtoi se situata vjen si pasojë e strategjisë së njohur të Serbisë, e cila krijon herë pas here vatra krize.
Nuk është lajm i ri që Serbia kërcënon Kosovën. Ka mbi 50 baza ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Janë të gatshëm në çdo moment. E vetmja gjë që mund të bëjnë është minimi i shtetit të Kosovës duke krijuar vatra krize.



