Kryqi i Kuq libanez tha të dielën se një nga ekipet e tij mjekësore, ku përfshihen disa vullnetarë dhe dy autoambulanca, u bombardua ndërsa ishte në një mision në Libanin jugor.
Më herët, edhe trupat e OKB-së kanë njoftuar se janë sulmuar gjithashtu nga forcat izraelite. Pas këtyre raportimeve, sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloid Ostintelefonoi homologun e tij izraelit Joav Gallant, ndërsa kërkoi siguri për trupat civile dhe paqeruajtëse në vend.
Ushtria izraelite ndërkaq pretendon se ambulancat përdoreshin për të transportuar armë dhe u bëri thirrje ekipeve mjekësore të shmangin marrëdhëniet me operativët e Hezbollahut dhe të mos bashkëpunojnë me ta.
Këtë të diel, qyteti i Haifas në Izrael u godit nga disa raketa të lëshuara prej Hezbollahut, por që u rrëzuan nga sistemi antiraketor vendas.
Sa i përket tensioneve me Iranin, SHBA-të besojnë se Izraeli ka ngushtuar objektivat që mund të sulmojë. Mediet amerikane shkruajnë se në fokus është infrastruktura ushtarake dhe energjetike.
Shtëpia e Bardhë ka qenë e prerë që nuk mbështet goditjen e centraleve bërthamore. Ndërsa tensionet mbeten të larta, nuk ka një datë të saktë për kundërpërgjigjen izraelite.



