Administratori i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku tha në studion e emisionit "MCN Economy" se kompanitë e sigurimeve prej vitesh nëpërmjet një kontrate që kanë bërë me njëra-tjetrën kanë ndarë tregun në përqindje.
Sipas Buxhukut kjo është shkelje e hapur e tregut të lirë dhe institucioni përgjegjës nuk merr masa dhe i lë të veprojnë në dritën e diellit.
Çfarë është një fenomen tjetër që tregon që ky treg nuk funksionon?
Kjo është një problematikë e cila ka lidhje me vendimmarrjen politike. Ndodh një fakt, të gjithë jemi në dijeni, nëse duam të sigurojmë një automjet. Mund të ketë ndodhur që ke shkuar në X-kompani, por ti duhet të shkosh tek kompania konkurrente. Të shkosh në Perëndim, një klient dhe të thotë ai që do bësh siguracionin apo do blesh mallin tek kompania konkurrente është një absurditet i madh.
Në Shqipëri ndodh, pse ndodh? Ndodh sepse ka shumë vite që nëpërmjet një softi që kompanitë kanë bërë me njëra-tjetrën ato kanë ndarë pjesën e tregun në përqindje. Dihet që gjatë ditës kaq sigurime do bësh tek X-kompani, kur e arrin kuotën mbyllet softi.
Kjo është shkelje e hapur e tregut të lirë dhe konkurrencës. Kemi një kartel të mirëfilltë në të cilën institucionet përgjegjëse, AMF-ja në këtë rast nuk vepron po e lë të veprojë në dritë të diellit.



