
Presidenti Ilir Meta ka qenë në zonën e Pustecit dhe liqenin e Prespës, ku ka çelur sezonin turistik bashkë me autoritetet vendore.
Meta premtoi se disa ditë të pushimeve të tij verore do i bëjë në liqenin e mrekullueshëm të Prespës, duke theksuar se më përparësi ka zhvillimi dhe promovimi i turizmit në këto zona.
Kreu i shtetit është pyetur edhe për tre vendet skeptike për negociatat, tha se duhet të angazhohemi në mënyrë bashkëpunuese.
"Unë besoj se janë të gjitha mundësitë që vendi ynë të ketë sukses duke marrë një mesazh pozitiv. Këshilli i vendeve anëtare të BE-së në mbështetje të rekomandimit pozitiv të KE-së dhe për këtë të gjithë duhet të punojmë të angazhohemi për mirë, për pritshmeritë jo vetëm të partnerëve tanë, por edhe të këshilltarëve në mënyrën më të përgjegjshme dhe bashkëpunuese, jashtë çdo fryme konfliktuale dhe përjashtimi artificial", deklaroi Meta.
Meta nuk ka pranuar të komentojë rreth lajmit që qarkulloi për ngritjen në Shqipëri të një qendre për ish-militantë të ISIS, por theksoi se askush nuk e cenon sigurinë kombëtare, aq më tepër në prag të sezonit turistik.
I shoqëruar nga autoritetet vendore, ai vizitoi Kishën e Shen Mhillit në Pustec dhe ishullin e Maligradit. “Kjo perlë e natyrës, destinacion atraktiv i turizmit, duhet vizituar”, tha ai.



