Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, janë caktuar 12 masa sigurimi personal ndaj 12 shtetasve të dyshuar për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të parashikuara nga nenet 135/25, 186/3 dhe 186/a/2 të Kodit Penal.
Masat e sigurimit “Arrest në burg”, “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” janë vendosur në kuadër të procedimit penal nr. 7108 të vitit 2025, i cili ka nisur pas kallëzimit të një shtetasi për tërheqje të paautorizuara nga llogaritë e tij në UBA Bank, në vlerë prej rreth 500.000 lekësh, si dhe pas kallëzimit të vetë institucionit bankar për raste të ngjashme ndaj klientëve të tjerë.
Nga hetimet ka rezultuar se janë kryer rreth 30 tërheqje pa mandat, si dhe janë hapur e mbyllur depozita me afat në monedha të huaja pa autorizimin e klientëve.
Në përfundim të veprimeve hetimore, Prokuroria ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se shtetasit E.Q., I.D., E.K., B.M., A.K., G.H., G.B., D.D., O.K., R.S., B.N. dhe Zh.B. janë të përfshirë në kryerjen e veprave penale të sipërcituara.
Nga hetimet rezulton se shtetasit Albin Keta dhe Gilbert Hoxha, në funksionet e tyre si zv.drejtor dhe drejtor dege në UBA Bank, dyshohet se kanë kryer në mënyrë të përsëritur veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës, duke shfrytëzuar aksesin në sistemin bankar për përfitim të padrejtë të shumave monetare të klientëve, përmes mandateve të falsifikuara, ndërhyrjeve në sistem, si dhe veprimeve të tjera të paautorizuara.
Këto veprime dyshohet se janë kryer në bashkëpunim me punonjës të tjerë të bankës në funksione të ndryshme.
Për disa nga të hetuarit është caktuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për shkak të dyshimeve për përfshirje në veprime të përsëritura të paligjshme gjatë ushtrimit të detyrës, të cilat kanë mundësuar përvetësimin e shumave monetare të klientëve përmes mandateve të falsifikuara dhe ndërhyrjeve të paautorizuara në sistemin bankar.
Ndërsa për shtetasit E.Q., I.D., E.K. dhe B.M. është caktuar masa “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, pasi nga hetimet rezulton se kanë kryer veprime dhe transaksione bankare në mungesë të dokumentacionit të rregullt, duke krijuar kushte për realizimin e veprimeve të paligjshme nga persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
Hetimet vijojnë në drejtim të dokumentimit të plotë të rrethanave dhe përgjegjësive penale të secilit prej të hetuarve.



