
Fitër Bajrami shënon përfundimin e muajit të Ramazanit dhe është një moment reflektimi, falënderimi dhe bashkimi për të gjithë besimtarët myslimanë.
Qindra besimtarë vlonjatë, por edhe të huaj, janë mbledhur mëngjesin e sotëm pranë Pallatit të Sportit në Vlorë për të falur namazin e Fitër Bajramit. Pas një muaji sakrifice, agjërimi dhe lutjesh gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët kanë festuar këtë ditë të rëndësishme për besimin mysliman.
Në këtë ceremoni është vënë re edhe pjesëmarrja e lartë e grave dhe të rinjve, të cilët iu bashkuan faljes në një atmosferë përkushtimi dhe solidariteti.
Ceremonia nisi me leximin e Kuranit nga hoxha turk Ismail Çakexhe, për t’u vijuar më pas me faljen e namazit.
Në fjalën e tij, myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhallari, uroi të gjithë besimtarët për këtë festë të madhe, duke theksuar rëndësinë e paqes, begatisë dhe solidaritetit në këto kohë të vështira. Ai u bëri thirrje besimtarëve të tregojnë më shumë sinqeritet, të ndihmojnë ata në nevojë dhe të mos harrojnë vlerat e sakrificës dhe humanizmit.
Edhe në Durrës, besimtarët u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit për faljen e namazit, duke bërë lutjet e tyre në këtë festë të rëndësishme të kalendarit islam.
Në Elbasan, besimtarët myslimanë falën namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Gensher”. Qytetarë të grupmoshave të ndryshme, mes tyre edhe fëmijë, morën pjesë në ceremoni, e cila u drejtua nga myftiu Agim Duka. Në fjalën e tij, ai uroi besimtarët, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës për ata në nevojë, si dhe shprehu lutje për paqe në zonat e konflikteve.
Ndërkohë, në Korçë, besimtarët myslimanë u mblodhën mëngjesin e kësaj të premteje për të falur namazin e Fitër Bajramit. Ceremonia nisi rreth orës 06:30 në sheshin e xhamisë Iljaz Bej Mirahori. Riti i faljes u drejtua nga myftiu Ledian Cikalleshi, i cili uroi të gjithë besimtarët për më shumë mbarësi dhe begati në familjet e tyre.



