
Kreu i LZHK, njëherësh deputeti Dashamir Shehi, në një intervistë për MCN Live tha se ende ka hapësira që opozita të dalë me kandidatë të përbashkët për bashkitë e vendit.
Shehi tha se do të ishte vetëvrasje politike, nëse opozita do të dilte me dy apo tre kandidatë. Shehi vë në dukje se primaret nuk janë mënyra s’e si zgjidhet kandidati më i mirë, sepse sipas tij nuk jemi në kohën kur PD merrte 50 për qind të votave.
Megjithatë Shehi thotë se forca e tij politike do të mbështesë kandidatë të PD të cilët janë personazhe të pëlqyeshme, të tillë si Igli Cara në Durrës. Ai vë në dukje se nuk u arrit një marrëveshje për skemën e sondazhit, që sipas tij do të ishte një mënyrë e mirë për të zgjedhur kandidatë që gëzojnë mbështetje.
Për sa i përket këshilltarëve do hyjmë gjithësekush veç e veç, për të parë sa vlen njëri. Dëshira jonë është që për kandidatin për kryetarin e bashkisë të hyjmë me një kandidat të vetëm. Kur hyn me dy, me tre zvogëlohen mundësitë. Propozuam një skemë për sondazh, fatkeqësisht nuk arritëm në marrëveshje. PD ka vazhduar rrugën e vet me primare që s’e paragjykon skemën tonë. Gjykoj që ka akoma hapësirë për të dalë akoma me një kandidat të përbashkët. Disa pretendojnë që kanë shumë mbështetje popullore, disa pak, vota e tregon. Do ishte vetëvrasje të dilnim me dy, tre kandidatë. Do t’i bënim qejfin Ramës. Primaret s’janë mënyra si zgjidhet kandidati më i mirë sepse s’jemi në kohën që PD kishte 50 për qind të elektoratit. Sot për të fituar një bashki duhet të mobilizohen të gjitha forcat progresiste. Edhe ne mund të mbështesim ndonjë kandidat, nëse është personazh që na pëlqen. Atë që thotë Duka në Durrës edhe unë do ta mbështes me dy duart. Por sondazhi popullor do ishte shans i madh. Tema është shumë më e madhe se sa historia individuale. Do t’i ftoja kolegët të reflektojnë përqark kësaj si ide. Nëse kandidati s’do jetë një dhe i duhuri, shanset zvogëlohen shumë. Për të treguar kush është më i forti dhe më i madhi, është proporcionali. Në të lloj proporcionali të penalizuara hyjnë forcat e reja. Të hyjmë në garë secili në rrugën e vet për të treguar sa është mbështetja popullore. Por kandidati do donim të ishte një, i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe pragmatiste që merr sa më shumë vota, s’ka rëndësi nëse është i Berishës, Metës apo dikujt tjetër”.
Shehi vlerësoi kandidatët që do të garojnë në primaret e PD për Bashkinë e Tiranës, megjithatë ai theksoi se ata duhet të shkojnë përtej PD-së.
Një pjesë janë djem plotësisht të pranueshëm dhe do t’i mbështesja me dëshirë nëse do dalin. Duke filluar nga doktori edhe të tjerët, ka djem shumë të mirë. Këta djem duhet të përfaqësojnë një ide që shkon përtej PD-së, që nuk identifikohen vetëm me foltoren, prandaj një formulë tjetër do ishte më efektive. Uroj që të mos ndodhë 6 marsi, por shoh që beteja e brendshme aty vazhdon akoma, pavarësisht se dihet kush është kundërshtari ynë kryesor, Edi Rama. Protesta është gjë pozitive sepse tregon që qytetarët janë më shumë se ata që organizojnë protestën. Protestat duhet të vazhdojnë me forma të tjera, nëse do t’i konsumojmë njerëzit aty në bulevard, dy orë...Protesta duhet artikuluar. Duhet shkuar përtej protestës, çfarë do ofrojmë, një alternativë të re politike. Protesta përveç njerëzve nuk pruri ndonjë gjë të re, sepse leksiku mu duk i vjetër. Them që kemi kohë përpara për të ndërtuar një program politik që shpresë. Duhen ide të reja dhe fytyra të reja, dhe një shpresë të re çfarë do bëjmë më mirë. Fytyrat e reja fillojnë me këto djemtë e rinj që po vendosim për Tiranën, Durrësin, Shkodrën”.



