1857 fëmijë shqiptarë janë birësuar në 32 vite, ndërsa më shumë se gjysma e tyre janë dërguar jashtë vendit duke u marrë nga prindër të huaj.
Biznesmenët janë ndër çiftet që kanë birësuar më tepër fëmijë, ndjekur nga diplomatët policët dhe mësuesit.
Procesi i Birësimit në Shqipëri prej 32 vitesh kontrollohet na i vetmi autoritet që është Komiteti Shqiptar i Birësimeve.
Në vendin tonë procedura e birësimit shoqërohet me një praktikë të ndarë në dy fazë, një administrative dhe një gjyqësore përmes së cilës fëmijës, i cili është shpallur i braktisur dhe është privuar nga mjedisi familjar, i sigurohet një jetë e re.
Por sa është numri i fëmijëve të birësuar në këtë proces që funksionin prej vitit 1993?
Emisioni FactCheck mëson se “prej krijimit të tij, Komiteti Shqiptar i Birësimeve ka realizuar 1857 birësime vendase dhe ndërvendase. Birësimi i prodhon efektet e tij nga data që vendimi i gjykatës merr formë të prerë dhe është i parevokueshëm, duke e kaluar kujdestarinë ligjore të fëmijës tek prindërit birësues”.
Për vitin 2023 janë birësuar në total 22 fëmijë të ndarë në këtë formë: 11 meshkuj dhe 11 femra.
Vetëm një fëmijë është birësuar nga një nënë e pamartuar, dhe 21 të tjerë janë birësuar nga një çift i martuar burrë e grua.
14 fëmijë janë birësuar nga familje shqiptare brenda kufijve dhe 8 fëmijë janë birësuar nga çifte të huaja.
Kjo është një tjetër shifër e siguruar nga emisioni “FactCheck” ku ndër profesionet e çifteve që birësojnë më shumë fëmijë janë biznesmenët, mësuesit ndjekur më pas nga efektiv policie, diplomatët dhe zyrtarë të tjerë të administratës.
Në vetëm 2 raste ka rezultuar se niveli arsimorë i prindërve birësuar është me shkollë të lartë. Shumica janë me arsim tetë vjeçar dhe të mesëm.



