
Tajfuni Nanmadol goditi Japoninë, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rrëshqitje dheu dhe përmbytje pas përballimit me një nga stuhitë më të mëdha të dekadave të fundit.
Dy persona mbetën të vrarë dhe 90 të tjerë të plagosur, nga tajfuni që u përplas në ishullin më jugor të Kyushu të dielën në mëngjes.
Nëntë milionë njerëzve iu kërkua që të evakuohen dhe më shumë se 350 mijë shtëpi mbetën pa energji elektrike.
Transmetuesi shtetëror NHK tha se një burrë humbi jetën kur makina e tij u përmbyt nga uji dhe një tjetër vdiq pasi u zu poshtë nga rrëshqitjet e dheut. Një person tjetër raportohet i zhdukur.
Super tajfuni solli erë me shpejtësi deri në 234 km/h, duke shkatërruar shtëpi dhe duke ndërprerë transportin dhe bizneset.
Si pasojë e tajfunit, Kryeministri Fumio Kishida shtyu për të martën një vizitë në New Jork, ku do të mbajë fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për të monitoruar ndikimin e stuhisë.
Stuhia parashikohet të kthehet në lindje dhe të kalojë mbi ishullin kryesor të Japonisë Honshu përpara se të largohet në det deri të mërkurën.
Temperaturat më të ngrohta të sipërfaqes së detit në Atlantik dhe Karaibe si rezultat i ndryshimeve klimatike mund të ndikojnë gjithashtu në shpeshtësinë dhe intensitetin e uraganeve.



