
Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vënë në pranga 6 persona, ka proceduar 3 të tjerë dhe ka shpallur në kërkim 2 shtetas, pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të djeshëm.
Protestuesit akuzohen se kanë sulmuar forcave të rendit me lëndë djegëse, bomba molotov dhe sende të forta, si dhe kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve duke djegur kazanë mbeturinash.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç (shtetas i huaj), si dhe 2 shtetas të mitur.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë kontrolleve, shtetasve L. K. dhe A. Sh. iu gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.



