Komisioni i BE-së ka vënë në bankën e të akuzuarve mega-platformën kineze për tregtinë online, Temu, duke e akuzuar atë edhe për shitjen e produkteve të paligjshme. Provat e këtij aktiviteti do të ishin mbledhur edhe nëpërmjet blerjeve anonime.
Pretendohet se “Temu” mund të fshehë blerje që nuk lejohen sipas ligjit evropian. Platforma rrezikon një gjobë prej 6% mbi xhiron e saj: afërsisht 430 milionë euro. Temu i përgjigjet indirekt kësaj akuze: "Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me Komisionin Evropian."
Dhe mbrohet pa iu përgjigjur drejtpërdrejt BE-së: "Ne jemi bashkuar me komitetin ndërkombëtar kundër falsifikimit", thuhet në një deklaratë nga grupi, i cili është gjithnjë e më i pranishëm në mediat sociale me oferta të mahnitshme. Prandaj, produktet në shitje nuk duhet të jenë të paligjshme, siç pretendon BE.
Komisioni Evropian thuhet se ka zbuluar se Temu ka shkelur detyrimin e saj sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA) për të vlerësuar në mënyrë adekuate rrezikun e shitjes së produkteve të paligjshme në tregun e saj. Hetimi i BE-së, i cili përfshinte blerje anonime, zbuloi praninë e shumë artikujve jo në përputhje me rregullat, duke përfshirë lodra dhe pajisje elektronike.
Vlerësimi i rrezikut i kryer nga gjigandi kinez i tregtisë elektronike në vitin 2024 u gjet i përgjithshëm, me masa zbutëse të konsideruara joefektive. Nëse konfirmohen, shkeljet mund të çojnë në gjoba deri në 6% të xhiros vjetore.



