
Me lëvizjet e fundit në Ministrinë e Bujqësisë, qeveria po përpiqet të rizhbllokojë fondet e programit IPARD, të pezulluara muaj më parë nga Bashkimi Europian me dyshimet se është abuzuar me to. Në studion e MCN Economy, gazetari Klodian Tomorri tha se deri tani qeveria shqiptare nuk ka arritur ta bindë BE-në, ndërkohë që mungesa e këtyre fondeve do të shkaktojë një gropë prej 140 miliardë euro.
Lëvizjet në Ministrinë e Bujqësisë janë mekanizëm që shkon drejt kësaj shprese të qeverisë për ta rizhbllokuar programin. Janë gati 80 milionë euro të disbursuara që nga fillimi, që kanë shkuar për fermerët. Mund të shkonin në 140 miliardë me IPARD 3. Është një goditje shumë e rëndë që qeveria shpreson ta riparojë. Por deri tani nuk ka arritur ta bindë Bashkimin Europian.
Tomorri tha se mbështetja financiare për bujqësinë mbetet shumë e ulët.
Nëse do të nxisësh kooperativat mund të përdorësh incentivat. Por kur fermerët bashkëpunojnë, orientimin e bën shteti. Jam sekptik. Sepse nuk janë më fermerët që vendosin. Ne e dimë që kur shteti orienton sjelljen e agjentëve ekonomikë në treg ndodhin pasoja. Mund të ndodhë që shkohet drejt një kulture për të cilën mund të mos ketë treg. Historia e kooperativave ka raste të suksesshme, por edhe të tilla që nuk janë të suksesshme. Por ne e mbështesim shumë pak fermerin. Për vitin e ardhshëm kemi 30 milionë euro me të cilat ministria thotë se do mbështesim 65 mijë fermerë. I bie më pak se 500 euro.
Ai theksoi se qeveria dhe pushteti vendor duhet të gjejnë forma që të mbështesin prodhimin vendas, duke mos e përqendruar tregun në pak duar.
Ne kemi parë në botë që ka ditë të caktuara që bashkia vendos në dispozicion të fermerëve zona të caktuara që të shesin produktet e tyre. Nëse t’i ia jep pushtetin e tregut tre apo 4 grumbulluesve, do të dëmtohen fermerët. Nëse do të lejonim në Tiranë që fermeri nga Lushnja të vinte një ditë në javë dhe të shiste produktin e tij, kjo do t’u bënte mirë edhe fermerëve. Kjo nuk lejohet nga ata që kanë interesa apo nga ata që u duken gjëra të parëndësishme nuk di ta them. Por di që për shkak të një problemi të strukturimit të tregut, ne e blejmë domaten pesë herë më shumë sesa e shet fermeri në Lushnje.



