U diskutua sot Komisionin e Ligjeve drafti i ri i projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Në fjalën e mbajtur Damian Gjiknuri theksoi që projekt-ligji ka kufizime që duhen riparë, jo vetëm për pedagogët, por edhe deputetët. Oerd Bylykbashi vuri në dukje se projekt-ligji shtrihet në jetën e përditshme të njerëzve që nuk janë zyrtarë shtetërorë.
Gjiknuri: Nuk mund të përgjigjet për një rreth njerëzish që s’mund t’i kontrollojë. Si mund të vëmë kufizime që një pedagog mos ushtrojë funksionin e mjekut. S’mund të pengohen mjekët, specialistët e ndryshëm. Nuk lejohen të ushtrojnë profesionin e licencuar. Janë të tjera kufizimet për institucionet publike dhe vendimmarrjet që bien me konfliktin e interesit. Kemi komente edhe për kufizimet e deputetit. S’po them që deputeti të ketë dy punë, por s’duhet të kufizohet në disa aktivitete të tij. Jo çdo gjë private duhet të jetë e anatemueshme. Ky është një ligj që prek të gjithë punonjësit publik të shtetit.
Bylykbashi: Ky ligj po vendos kufizime jo të thjeshta, që janë goxha shtrënguese, përtej atyre që janë sot. Janë kufizime që prekin njerëz, që nuk janë zyrtarë shtetërore. Shtrihet në jetën e tyre të përditshme, ku kanë të drejtë të sigurojnë edhe të ardhurat e tyre. Duhet t’i marrim opinion këtyre grupeve, sidomos pedagogëve, që e kanë shprehur këtë shqetësim dhe të dalë një ligj që është i mprehtë si duhet për të parandaluar konfliktin e interesit.
Inspektorja e ILDKPI: Janë punuar disa drafte, ky është i fundit. Ka akoma punë për të bërë në lidhje me rekomandimet e fundit të Këshillit të Europës për këtë draft. Duke marrë edhe mendimet e ekspertëve të huaj dhe vendas është arritur në këtë draft, që prapë ka nevojë për rregullime dhe sugjerime. Ligji na çon më afër Europës ku synojmë të shkojmë. Ligji ka qëllim parandalimi, por janë parashikuar edhe masa administrative më të forta se në ligjin e kaluar.



