Eksperti i ekonomisë Pano Soko thotë se fokusi i projektbuxhetit duhet të jetë bujqësia, për shkak të kapaciteteve që mund të zhvillojmë në këtë sektor.
Nga studio e “MCN Live” ai u shpreh se bujqësia do të duhet të ishte promotori i ekonomisë shqiptare, por ky sektor vazhdon të jetë i përçmuar.
Soko shtoi se duhet të zhveshim kompleksin që jemi vend bujqësor dhe t’i mëshojmë asaj që ne jemi.
Nga hallet që ka sot qeveria shqiptare, problemi i parë është bujqësia, është hallka më e rëndësishme e ekonomisë shqiptare. Zoti na ka hedhur në një vend, ku për prioritet natyror ne kemi bujqësinë.
Bujqësia që do të duhet të ishte promotori i ekonomisë shqiptare, vazhdon të jetë i përçmuar. Merr gati 160 milionë euro në total gjithë Ministria e Bujqësisë.
Kjo vlerë në një buxhet 9 miliardë euro, i bie as 1% e buxhetit, do të thotë që ti nuk e ke në prioritet, nuk do ta shohësh këtë gjë. Se kjo gjë do të të lërë mbrapa. Janë gati 400 mijë vetë që punojnë në bujqësi sipas shifrave zyrtare. Ti hidhi pak sytë nga këta. Bujqësia ka nevojë për para, e para duhet të zhveshim kompleksin që jemi vend bujqësor.
Duhet t’i mëshojmë asaj që jemi. Duhet të shikojmë me perspektivën e ekonomisë, lokomotiva e ekonomisë sonë duhet të jetë bujqësia. Ne japim 50 milionë euro subvencion. Kosova që ka dy herë më pak tokë se ne i japin 70-100 milionë euro, pa shtuar dhe bonuset e integruara. Problemi tjetër i madh që kemi ne pse po na ikën shtresa e mesme.
Sot po ikin njerëz që kanë të ardhura të mira dhe zgjedhin të ikin. Ata ikin se dy kolonat bazë që janë shëndetësia dhe arsimi, nuk arrin të përmbushë dot pritshmëritë e asaj familje që ka paratë. Shqipëria nuk e ka ndarë ende me veten, se çfarë do bëjë. Sektorët prioritarë janë elementët bazë themelorë, që përcaktohen, siç ndodhi me ne kur kaluam në ekonominë e tregut të lirë.
Vendet e tjera e kanë marrë profilin e tyre, Zvicra paratë, Greqia turizmin, bujqësinë etj. Ne duhet të zgjedhim me çfarë duhet të merremi, duhet të zgjedhim ku do të jemi të mirë. Unë them se duhet të jetë bujqësia, për shkak të avantazheve krahasuese.
Ti duhet të përmirësosh infrastrukturën dhe paratë. Nëse do e kishim prioritet sot bujqësia do merrte 400 milionë euro buxhet.
Turizmi është supermarketi ku shiten produktet që prodhojmë vetë. Në kujdesemi për supermarketin, por jo për prodhimin. Kjo është gjëja që nuk ka kuptim. Ne nuk bëjmë një dyqan që të shesim prodhimet tona. Ne bëjmë dyqanin, marrim mall nga jashtë dhe i shesim te dyqani ynë.



