
Dita e Dëshmorëve, e shënuar më 5 maj, është dita kur përkujtohen të rënët për lirinë e Shqipërisë. Kjo datë ka një rëndësi të veçantë historike për shqiptarët, pasi nderon Dëshmorët e Kombit dhe sakrificën e tyre.
Në këtë ditë përkujtohen me mirënjohje emra të shumtë nga të gjitha periudhat, jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin në çlirimin e vendit, por edhe për sakrificën e tyre në emër të lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të çdo shqiptari.
Origjina e kësaj dite lidhet me 5 majin e vitit 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili, përmes veprimtarisë së tij, u shndërrua në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912 e deri në vitin 1945, shteti shqiptar nuk kishte krijuar një status ligjor për dëshmorët e atdheut. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare nisën përpjekjet e para për të nderuar të rënët në fushat e betejës.
Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar miratoi ligjin nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.
Në nderim të të rënëve për lirinë e vendit, çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve zhvillohen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.



