Zululand ka patur të ftuar këtë të mërkurë kreun e ALUIZNI-t, Artan Lame. Biseda në studio u ndal tek sfidat e këtyre dy vjetëve në legalizimin e gjithë ndërtimeve të bëra në mënyrë informale në vend që nga viti 1990.
Lame tha se kjo mund të quhet një të quhet një betejë e fituar, edhe pse shtoi ai sigurisht që ka ende shumë problematika.
“Fakti që opozita ka hequr dorë nga kjo beteje, e konsideron të humbur, nuk denoncon më, nuk e përmend fare. Edhe ata tani thonë se “e vetmja mënyrë që mos të turpërohemi është që mos ta zëmë më në gojë”. Unë jam i bindur që në subkoshiencën e tij edhe Saliu ka dashur ta bëjë, por nuk diti, zgjodhi njerëzit e gabuar dhe e bastardoi procesin”, u shpreh Lame.
Ndërsa Nano në ndërhyrjen e tij e quajti si të padrejtë që ca njerëz që kanë zaptuar troje jo të tyret, i kanë marrë ato thuajse falas.
Lame duke iu përgjigjur provokimit të Mustafa Nanos shtjelloi se faji nuk është i njerëzve, por i një shteti i cili nuk diti ta menaxhoj këtë situatë.
“400 e ca mijë shqiptarë kanë shkelur ligjin, sepse kishin një nevojë që ligji nuk ua dha. Ishte një super popullsi, e cila nuk mund të qëndronte më në zonat malore dhe shteti u tregua i paaftë ta kontrollonte”, tha Lame, i cili shtoi se shqiptarët kanë 2000 e ca vjet që ndërtojnë pa leje.
Më tej Lame tha se nëpërmjet presionit u frenua ndërtimi pa leje edhe pse sipas tij shteti ende ai nuk është në gjendje të ofrojë plane rregulluese kudo.
Në pjesën e dytë biseda në studio u fokusa në tema të tjera si debati për trashëgiminë kulturore, konkretisht me atë që ndodhi me pllakën në Kalanë e Lezhës.
Lame tha se ka një antiosmanizëm folklorik dhe se shqiptarët e kanë tipar, që fajin gjithnjë ta kërkojnë tek të tjerët, jo tek vetja. Kështu ndodh edhe kur thonë se pushtimi turk na la të prapambetur, tha ai.
Një tjetër temë e prekur në fund të emisionit ishte edhe qëndrimi i Lames për çështje të të drejtave të njeriut, siç janë kauzat për mbrojtjen e komunitetit gay në Shqipëri.
Artan Lame tha se personalisht ai është gati t’i mbrojë ata nëse u shkelen të drejtat, por ndahet me ta kur duan të imponohen dhunshëm dhe se ka një “Akaparim të kauzës nga njerëz thjesht për të kapur projekte”.



