
Imunologu amerikan Anthony Fauci është infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor dhe u shtrua në spital për 6 ditë për shkak të infeksionit, ndërkohë që aktualisht po rikuperohet në shtëpi.
Ish-kreu 83-vjeçar i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) pritet të shërohet plotësisht nga infeksioni.
Një zyrtar i shëndetit publik për një kohë të gjatë, Fauci ka qenë në qendër të vëmendjes vitet e fundit si pjesë e grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin Sars-CoV-2 gjatë pandemisë, një rol që i solli atij edhe sulme dhe kritika.
Pavarësisht tërheqjes nga rolet institucionale, në qershor republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve e thirrën për një seancë të nxehtë mbi përgjigjen ndaj Covid-19, duke e akuzuar se kishte fshehur origjinën e virusit.
Fauci tha se pretendimet ishin “thjesht absurde”.
Rreth një mijë amerikanë shtrohen në spital çdo vit, raporton CNN, me formën më të rëndë të virusit të Nilit Perëndimor, i cili përhapet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
1500 të tjerë, diagnostikohen pas shfaqjes së simptomave, megjithëse ekspertët vlerësojnë se rreth 80% e infeksioneve në SHBA nuk janë identifikuar kurrë.



