Vihet në pranga njëri nga autorët e grabitjes së një pike karburanti në Ibë. Ergit Shyti, 20 vjeç, është arrestuar pas hetimit të ngjarjes, ndërsa vijon puna për identifikimin e autorit të dytë.
Njoftimi i policisë
Identifikohet dhe ndalohet një nga autorët e vjedhjes me dhunë, ngjarje e ndodhur më datë 04.02. 2017 në një pikë karburanti në zonën e Ibës.
Më datë 13.02.2017 Specialistët e Komisariatit të Policisë nr.1 në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së Parë Tiranë, kanë bërë të mundur ndalimin e Ergit Shyti, 20 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i tij u bë pasi u arrit të dokumentohet me prova ligjore se ky person është një nga autorët e dyshuar të vjedhjes me dhunë në pikën e karburantit në fshatin Ibë ndodhur më datë 04.02.2017.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre telefona të markave të ndryshme si dhe një portofol në të cilin gjendeshin njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë lekë të vjetra dhe dhjetë euro. Vazhdojnë hetimet për identifikimin e autorit të dytë të përfshirë në këtë ngjarje dhe vënien e tij para përgjegjësisë penale.



